Lidhje

“Nacionalizimi pas komunizmit - mësimet që dalin” - 2004-09-13


Cilat janë disa nga mësimet e nxjerra nga eksperienca e ish-vendeve komuniste dhe veçanërisht atyre ballkanike përsa i përket ndjenjave dhe politikave nacionaliste në këto vende gjatë periudhës së tranzicionit? Kjo ishte tema e diskutimit të studjueses Alina Mungin Pippidi, në një takim të zhvilluar në Qendrën Woodrow Wilson në Washington.

Studjuesja Pippidi, Drejtoreshë e Insitututit të Shoqërisë Akademike Rumune dhe redaktore e botimit “Nacionalizimi pas komunizmit- mësimet që dalin”, tha se nacionalizmi është një fenomen i përhapur në të gjitha vendet ballkanike, që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë; por ajo e përqëndroi diskutimin tek mësimet e nxjerra përsa i përket ndjenjave dhe politikave nacionaliste në vendet ish-komuniste gjatë periudhës se tranzicionit. Cilat janë disa nga këto mësime?

Mësimi i parë, tha zonja Pippidi ka të bëjë me pozicionimet ndaj nacionalizmit. Është frika ajo që shkakton ndërmarrjen e veprimeve nacionaliste dhe janë rrethanat dhe jo qëndrimet ato që çojnë në konflikte; dhe historia ka treguar se konfliktet ndodhin nën petkun e nacionalizmit, tha studjuesja.

Ndër mësimet e tjera që dalin nga eksperienca e vendeve ish-komuniste, zonja Pippidi përmendi rëndësinë që ka një shtet i fuqishëm nga njëra anë, por që ndjek politika të drejta ndaj minoriteteve. Në vendet ballkanike, tha studjuesja ishte pikërisht mungesa e një shteti me tipare të tilla që çoi në politikat nacionaliste. Një tjetër mësim, pas shprehjeve të nacionalizmit në vendet ish-komuniste, sipas studjueses, janë politikat e ndjekura nga udhëheqësit e vendeve ish-komuniste në momente të caktuara

Studjueja Pippidi tha se nacionalizmi është pasojë e dështimit të politikës dhe nuk i paraprin asaj. Këtu ajo përmendi si shembull politikat nacionaliste të Sllobodan Millosheviçit, si një mjet për të siguruar fitoren në zgjedhje.

"Sllobodan Millosheviçi, -tha studjuesja Pippidi, -u tregua mjeshtër përsa i përket manipulimeve për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit të tij dhe të grupit të komunistëve në fuqi, në një kohë që komunistët po i humbnin zgjedhjet kudo në vendet e Evropës Lindore. Jam e mendimit, -tha -studjuesja, se kjo ishte fillimisht një lojë e Sllobodan Millosheviçit dhe se ai nuk e kishte paramenduar procesin e spastrimit etnik ndaj popujve të tjerë. Pra, synimi i tij përfundimtar ishte të mbante pushtetin në Serbi dhe spastrimi etnik ishte veçse një mjet për realizimin e këtij synimi."

Pra, sipas studjueses Pippidi, nacionalizmi ka qenë dhe është një pjesë dhe në të njëjtën kohë, pasojë e lojës politike së grupeve të caktuara për të mbajtur pushtetin, ose për ta marrë atë.

XS
SM
MD
LG