Lidhje

Shpërthim në ambasadën australiane në Indonezi    - 2004-09-14


Para pak ditësh, terroristët vendosën një bombë në ambasadën australiane në Indonezi nga shpërthimi i së cilës humbën jetën 9 veta dhe 180 të tjerë u plagosen. Në një deklaratë që dënonte këtë sulm terrorist, presidenti Bush e quante atë një sulm tjetër kundër njerëzve të civilizuar në botë.

Autoritetet australiane dhe ato indoneziane dyshojnë se përgjegjëse për këtë sulm është organizata ekstremiste Jemah Islamia. Ky grup ekstremist i cili ka lidhje me Al Kaidën ishte përgjegjës për sulmin terrorist të 22 tetorit 2002 në Bali të Indonezisë, ku humbën jetën më shumë se 200 njerëz. Ndër sulmet e kryera nga Jemah Islamiah në Indonezi ishte edhe ai në gusht 2003 ndaj Hotelit Marriot në Xhakartë ku u vranë 12 indonezianë. Organizata Jemah Islamia është e vendosur në përpjekjen për krijimin e një shteti islamik në Azinë juglindore ku do të përfshiheshin Indonezia, Malajzia, Singapori dhe pjesa jugore e Filipineve. Ministri i jashtëm australian Alexander Downer deklaroi në ambasadën australiane në Xhakartë se me sa duket Jemah Islamia është përgjegjëse për sulmin.

”Bazuar në bisedat me autoritetet indoneziane dhe në burimet e shërbimeve tona të sigurimit dhe policisë, ka shumë të ngjarë që ky sulm të jetë kryer nga Jemah Islamia.”

Steven Pike, zëdhënës në departamentin amerikan të shtetit theksoi se sulmi kundër ambasadës australiane në Indonezi vjen pikërisht pas afër dy vjetësh nga sulmi i kobshëm në Bali.

”Që nga ajo kohë, qeveritë e këtyre dy vendeve kanë ndërmarrë një qasje të guximshme, të fortë dhe të vendosur për të ç’rrenjosur terrorizmin. Ne përshëndesim këtë dhe jemi të bindur se do të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e këtij sulmi.”

Që nga sulmi i vitit 2002 në Bali, qeveria indoneziane ka arrestuar më shumë se 135 përsona të dyshuar për terrorizëm dhe ka denuar 81 prej tyre. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë me çdo mjet qeveritë e Indonezisë dhe Australisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG