Lidhje

Presidenti Klinton po merr veten nga operacioni  në zemër  - 2004-09-15


Ish presidenti Bill Klinton po merr veten nga një operacion në zemër të hënën e kaluar. Zoti Klinton pati një operacion bajpas për të hapur venat e bllokuara. Operacioni që zgjati 4 orë u krye në spitalin Presbbyterian të New Yorkut.

Ish presidenti Klinton u shtrua në spital pasi kishte dhimbje në krahëror dhe vështirësi në frymarrje për një javë. Analizat treguan se ai kishte bllokime serioze në katër arterie koronare. Disa ishin të bllokuara gati 90 përqind. Mjekët thanë se pa ndërhyrje kirurgjikale, zoti Klinton ndoshta do të kishte pësuar shumë shpejt një infarkt.

Pjesa më e madhe e arterieve transportojnë gjakun nga zemra në organizmin e njeriut. Arteriet koronare furnizojnë me gjak dhe oksigjen muskujt e zemrës. Mjekët kryejnë operacione bajpas kur këto arterje bllokohen nga kolesteroli ose nga yndyra që formon të ashtuquajturat pllakëza.

Mjekët marrin një arterie apo venë nga gjoksi i pacientit apo këmba dhe e përdorin atë për të anashkaluar pjesën e bllokuar të arteries. Në rastin e zotit Klinton, mjekët përdorën dy arterie nga gjoksi dhe një venë nga këmba e ish presidentit.

Gjatë operacionit zemra e zotit Klinton u ndal për 73 minuta. Rolin e zemër dhe mushkërisë për këtë periudhë kohe e kryente një apraturë. Kjo teknikë bajpasi përdoret për më shumë se 75 përqind të pacientëve që i nënshtrohen këtij operacioni. Por ai mbart rrezikun e një hemoragjie cerebrale dhe të dëmtimit të sistemit nervor.

Disa pacientë me bllokime jo të mëdha të arterieve mund të mjekohen me ilaçe. Të tjerët mund të trajtohen me angioplasti. Angioplastia është një procedurë jo-kirurgjikale, përmes së cilës mjekët përdorin një balonë për të hapur arterien e bllokuar.

Zoti Klinton është 58 vjeç. Ai kohët e fundit humbi peshë me anë të një diete dhe niveli i kolesterolit iu ul. Por ai kishte dhimbje gjoksi dhe vështirësi në frymëmarrje për disa muaj. Ai tha se nuk i kishte kuptuar shënjat e sëmundjes, por ia kishte vënë fajin mungesës së fiskulturës.

Zoti Klinton tha se sëmundja e tij e zëmrës pjesërisht mund të jetë organike, pra e trashëguar nga familja dhe pjesërisht nga ushqimet jo të shëndetëshme, me shumë yndyrë, që ai i ka përdorur jo rallë. Mjekët thanë se zoti Klinton duhet të ndjekë tani një dietë me pak yndyrna dhe kripë dhe duhet të marrë ilaçe për të mbajtur arteriet të pastra.

Shoqata amerikane e zemrës thotë se sëmundjet koronare të zemrës shkaktojnë vdekjen e gati 500 mijë njerëzve në vit në Shtetet e Bashkuara. Kjo sëmundje është shkaku kryesore i vdekjeve midis amerikanëve.

XS
SM
MD
LG