Lidhje

Shqipëri: Rrëzohet një avion ushtarak - 2004-09-16


Në Shqipëri një avion ushtarak u rrëzua sot pak caste pasi ishte ngritur në fluturim. Aksidenti i rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në zonën ushtarake të aeroportit të Rinasit, i mori jetën pilotit Jani Tarifa, ndërsa avioni i ngarkuar me municione luftarake shpërtheu duke marrë flakë. Ministri i mbrojtjes Pandeli Majko i propozoi sot qeverisë shpalljen e pilotit Jani Tarifa, Dëshmor i Atdheut

Banorët e zonës pranë aeroportit kanë treguar sot me tmerr mbi shpërthimin e fuqishëm që ata dëgjuan vetëm pak metra shtëpive të tyre dhe flakët menjëhershme që mbështollën avionin e rrëzuar. Ishte ora 8.50 e paradites së sotme kur majori Jani Tarifa, 46 vjec, u nis për të kryer një fluturim stërvitor të planifikuar me avionin tip Mig 19 prodhim kinez. Avioni luftarak ishte i pajisur me municione pasi ai do të kryente qitje në një poligon të përdorur nga forcat ajrore të ushtrisë shqiptare në zonën e Kavajës.

Vetëm pak caste pasi është shkëputur nga toka, avioni nuk ka mundur të marrë lartësinë dhe është përplasur disa dhjetra metra larg fundit të pistës. Përplajsa ka qenë fatale. Gjithshka ka ndohur në një kohë shumë të shkurtër pa i lënë kohë as vetë pilotit të përdorte katapultën për tu shkëputur nga avioni.

Shpërthimi i parë i shkaktuar nga përplasja është shoqëruar më pas nga shpërthime të tjera të ngarkesës me municion.

Menjëherë në zonë janë afruar zjarrfikësit të cilët kanë shuar zjarrin dhe kanë mundur të nxjerrin më pas trupin thuajse të shkrumbuar të pilotit.

Ende askush nuk ka dhënë zyrtarisht asnjë variant për shkaqet që cuan në aksidentin tragjik. Një aksident që mund të kish qenë me pasoja të paparashikueshme. Në pistë ndodheshin edhe avion të tjerë ndërsa fati ka shpëtuar banesat e ngitura rreth zonës ushtarake.

Një grup i posacëm hetimi është ngritur për të identifikuar shkaqet dhe arsyet e kësaj ngjarjej të jashtëzakonshme – deklaroi shefi I shtabit të përgjithshëm Pëllumb Qazimi i cili njoftoi se ministri i mbrojtjes Pandeli Majko i ka propozuar Këshillit të Ministrave shpalljen e majorit Tarifa Dëshmor i Atdheut.

XS
SM
MD
LG