Lidhje

Kujtime të imigrantëve amerikanë - 2004-09-16


Shtetet e Bashkuara janë një vend imigrantësh dhe secili prej tyre ka një histori se si ai vetë apo prindërit e tij erdhën këtu dhe ndërtuan jetën. Shumë nga këto histori janë mjaft interesante. Korrespondenti Maik O'Sallivan bisedoi me dy imigrantë të cilët kanë botuar autobiografitë e tyre ku tregojnë vështirësitë që kanë kaluar dhe sukseset që kanë arritur.

Susane Reito lindi në Hungarinë e pushtuar nga nazistët kur Lufta e Dytë Botërore ishte në mbarim të saj. Familja e saj hebraike i mbijetoi holokaustit me ndihmën e dy diplomatëve, suedezit Raul Wallenberg dhe zviceranit Karl Lutz, të cilët u nxorën dokumenta diplomatike dhjetra mijra hebrenjve për të shpëtuar nga kampet naziste të vdekjes. Mirëpo menjëherë pas rrëzimit të regjimit nazist, vendin e tij e zuri një regjim i mbështetur nga sovjetikët.

Babai i saj kishte qenë një biznesmen i suksesshëm i cili iu nënshtrua përsëri persekutimit komunist duke humbur shtëpinë dhe biznesin. Familja kaloi 29 muaj në një kamp pune dhe u bë dëshmitare e dështimit të revolucionit hungarez të vitit 1956 kundër Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1957, familja u arratis nga Hungaria dhe shkoi në Australi, pastaj erdhi në Shtetet e Bashkuara duke u vendosur në Los Angeles.

Zonja Reito thotë se nipi i saj, i cili po studionte në shkollë Luftën e Dytë Botërore, i kërkoi asaj një ditë të fliste para klasës së tij mbi jetën e saj. Dhe ajo shkoi:

"Fola përpara të gjithë nxënësve të klasave të teta dhe e kuptova se sa shumë ndikoi historia ime tek nxënësit, të cilët pas disa ditësh më dërguan letra falenderimi. Një vajzë e vogël më tha: Zonja Reito, ju duhet të shkruani një libër sepse kështu të gjithë njerëzit do të mësojnë për jetën tuaj dhe jo vetëm ne,” thotë zonja Reito.

Ky propozim dhe një vizitë që ajo bëri më vonë në Hungari e bindën që vërtet të shkruante një libër me titull ”Kërkimi i Lirisë”.

84-vjeçari Jervand Markarian ka një histori shumë të ndryshme me një happy ending të ngjashëm. Zoti Markarian lindi në vitet 20 në një familje armene në qytetin Harbin të Kinës, ku banonin shumë imigrantë bjellorusë që ishin arratisur nga regjimi bolshevik. Kishte gjithashtu shumë armenë që kishin ardhur për t’i shpëtuar persekutimit të Turqisë.

Kur ishte i ri, ai hyri në ushtrinë franceze për të luftuar kundër nazistëve. Për çudi, ai përfundoi në Indokinën franceze ose Vjetnamin e sotëm për të luftuar kryengritësit komunistë për Legjionin e Huaj Francez.

Pas luftës, punoi si polic në lagjen franceze të Shanghait, pastaj u bashkua me të vjehrrin që kishte dy restorante rusë.

Disa nga biznesmenët që zoti Markarian i kishte shokë, u etiketuan si kapitalistë dhe kryen vetvrasje. Të tjerë si ai mezi arrinin të mbanin veten me bukë. Në vitin 1951, ai u vendos në Brazil së bashku me 5 pjestarë të familjes.

Meqenëse nuk fliste portugalisht, ai e pati të vështirë por më në fund arriti të gjejë punë në kompaninë Ford. Më në fund erdhi në Shtetet e Bashkuara ku gjithashtu filloi të punonte për Fordin.

Në Amerikë, zoti Markarian arriti të ngrinte një biznes të suksesshëm në Bulevardin Sunset të Hollywood-it, ku ai ndërtoi një restorant të ngjashëm me atë në Shanghai, të cilin e quajti Kavkaz. Ky restorant u bë shumë i njohur për yjet e Hollivudit dhe regjisorët e filmave që vinin aty.

"Roman Polanski, Dan Duryea, Simone Signore, Peter Ustinov,” thotë zoti Markarian.

Midis atyre që frekuentonin restorantin ishin aktori Omar Sharif, manjati i naftës Armand Hammer dhe këngëtarja Barbra Streissand.

Të dy këta imigrantë tregojnë se megjithë vështirësitë e mëdha të fillimit, ata nuk e humbën optimizmin. Ata flasin gjithashtu me admirim për shanset she lirinë që gjetën në vendin e tyre të ri. Zonja Reito thotë se mesazhi i saj për njerëzit është i thjeshtë:

"Mesazhi im është frymëzimi, fuqia e optimizmit, shpresa dhe ëndrra për një të ardhme më të mirë. Pa këtë shpresë ne nuk mund të jetojmë. Edhe në kohët më të këqia, në botë ka gjithnjë njerëz të mirë,” thotë zonja Reito.

Gjithmonë, thotë ajo, ka një dritë në fund të tunelit. Ajo shton se ka mësuar të jetojë edhe në situatat më të vështira sepse sipas saj, gjithmonë është e mundur t’i ndryshosh këto situata.

XS
SM
MD
LG