Lidhje

Pres. Moisiu nderon Zërin e Amerikës me Medaljen për Merita të Veçanta Civile - 2004-09-17


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, dekoroi Shërbimin Shqip të Zërit të Amerikës me Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”.

Presidenti Moisiu ia dorëzoi dekoratën zotit Seth Cropsy, Drejtorit të Byrosë së Transmetimeve Ndërkombëtare, në varësinë e të cilës ështe edhe “Zëri i Amerikës”. Në fjalën e tij Presidenti Moisiu vlerësoi lart punën e Zërit të Amerikës.

“Kjo radio e mirënjohur dhe mjaft e afërt me dëgjuesin e shikuesin shqiptar në Shqipëri dhe në hapësirat e tjera shqiptare ka luajtur e luan një rol të veçantë në informimin dhe formimin e publikut shqiptar. Ajo gëzon sot privilegjin e vemendjes dhe respektit të një audience të gjërë mbarëshqiptare në sajë të informimit objektiv, të shpejtë, të qartë, të saktë dhe të qëndrimeve të pavarura, të balancuara e të përgjegjshme”.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se “Zërit të Amerikës” përbën jo vetëm një nga burimet kryesore referuese e profesionale të informacionit por ai kontribuon edhe për njohjen reale të Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar.

Presidenti Moisiu vlerësoi punën mëse 60 vjeçare të Zërit të Amerikës:

“Është i shënuar kontributi i Seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” që në fillimet e tij, në 1943 e vazhdim, por i ndjeshëm dhe domethënës, ai u bë në kohën e transformimeve demokratike të dhjetëvjecarit të fundit të shekullit të kaluar. Zë i shpresës dhe lirisë për shqiptarët, mbrojtës i të drejtave themelore të njeriut, mbështetëse, inkurajuese e inspiruese e progresit demokratik, kjo radio ishte e është bashkëudhëtare me historinë tonë të 6 dhjetëvjecarëve të fundit. Veçanërisht të paharrueshme janë emisionet e viteve 89 – 91 kur njerëzit ndiqnin “Zërin e Amerikës” si uji në shkretëtirë, për t’u frymëzuar dhe për të marrë kurajo dhe për të parë perspektivën, e cila po ecën me aq avashllëk, sigurisht për fajin tonë”.

Presidenti Moisiu tha se kjo radio i dha dhe vazhdon t’i jape hapësirën legjitime marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke zvogëluar distancat dhe rritur miqësinë mes dy popujve.

Në fjalën e tij me këtë rast, Drejtori i Byrosë se Trasmetimeve Ndërkombëtare Seth Cropsy, tha se kjo dekoratë u përket të gjithëve atyre që merren me transmetimin e lajmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë punuar mbi 50 vjet për të folur jo vetëm për Shqipërinë, por edhe me Shqipërinë.

“Si Drejtor i Transmetimeve Kombëtare, kam një arsye më tepër për të qenë këtu. Ne të gjithë që merremi me transmetimet ndërkombëtar jemi shumë të kënaqur që ju keni zgjedhur të ndiqni “Zërin e Amerikës” për të shpallur mbështetjen tuaj në luftën tuaj kundër terrorizmit dhe qëndrimin e vërtetë të Shqipërisë. Ju e përdorët këtë mjet për t’u folur njerëzve tuaj nëpërmjet emisionit tonë në shqip”.

Shumë vetë në Kongres, vazhdoi ai, më kanë telefonuar, duke më shprehur përshtypjen që u kanë bërë fjalët tuaja. Ata e dinë, ashtu si edhe unë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të mirë sesa ju në Shqipëri. Edhe pse ju po tregoni këtë vlerësim duke nderuar “Zërin e Amerikës”, përsëri unë dua t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria do të mbeten partnerë edhe për të ardhmen, ashtu sikurse ju dhe ne do të mbetemi partnerë për të zhdukur terrorizmin”.

Në ceremoninë e rastit që u mbajt sot në selinë e Presidencës ishin të pranishëm i Ngarkuari me Punë në ambasadën amerikane në Tiranë, Stiven Zejt, Kryeredaktori i Divizionit Euroaziatik dhe ish shefi i seksionit shqip, Elez Biberaj dhe korespondentët e “Zërit të Amerikës” në Shqipëri, si dhe Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias, Musa Ulqini dhe Nënkryetari i këtij Komisioni, Vili Minarrolli, drejtues të shoqatave të gazetarëve si dhe drejtues të kanaleve televizive, që transmetojnë programet në shqip të “Zërit të Amerikës”.

//rd//

XS
SM
MD
LG