Lidhje

SHBA: fondet e fushatës presidenciale - 2004-09-18


Presidenti Bush dhe rivali i tij demokrat, Senatori John Kerry kanë mbledhur deri tani 475 milionë dollarë fonde për fushatën. Po të merren parasysh paratë e mbledhura nga dy partitë kryesore dhe komitetet politike të ngritura nga bizneset, sindikatat, shoqatat tregëtare dhe grupet e interesave, vëzhguesit e fushatave parashikojnë që dhurimet për garën presidenciale të vitit 2004 të kapërcejnë shifrën prej 1 miliardë dollarësh.

Çdo vit zgjedhjesh presidenciale në Shtetet e Bashkuara, fondet për fushatat janë gjithnjë më të mëdha. Anthony Corrado, analist në Institutin Brookings të Washingtonit dhe profesor i shkencave politike në Maine thotë se deri në kohën kur amerikanët të votojnë më 2 nëntor, presidenti Bush dhe John Kerry do të kenë shpenzuar së bashku rreth 650 milionë dollarë. Kjo shumë është sa dyfishi i fondeve që shpenzuan George Bushi dhe Al Gore në vitin 2000.

“Ne kemi arritur në përfundimin se kandidatët mbledhin vetëm një pjesë të fondeve këtë vit. Shuma të konsiderueshme janë dhënë edhe nga organizata politike që mbështesin njërën parti, apo tjetrën, që përpiqen të zgjidhet njëri apo tjetri kandidat, si edhe fonde nga partitë që kanë shuma të caktuara për të mbështetur kandidatin e tyre”.

Duke i llogaritur së bashku, bëhen mbi 1 miliard dollarë vetëm për fushatën. Po ashtu shuma rekord u jepen fushatave për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, që mund ta çojnë shumën e përgjithshme për zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet për në Kongres në mbi tre miliardë dollarë.

Anthony Corrado thotë se elektorati amerikan, është shumë i polarizuar këtë vit zgjedhjesh, gjë që po e rrit fluksin e dhurimeve.

“Elektorati ka këtë vit ndjesinë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, se drejtimi që do të marrë politika amerikane në vitet që do të vijnë do të jetë shumë i ndryshëm në varësi të kandidatit që fiton në zgjedhjet presidenciale dhe forcës politike që mbizotëron në kongres. Si rezultat, janë bërë shumë përgatitje dhe ka patur një angazhim të madh në fushatë”.

Ndryshe nga ç’ka ndodhur në të kaluarën, shumë nga fondet e mbledhura, kanë ardhur nga kontributet e vogla të dhuruesve të veçantë. Thad Kousser, ndihmësprofesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë në San Diego thotë se arsyeja është interesi i madh në fushatën e vitit 2004 dhe një ndryshim në ligjin për financimin e fushatave.

“Një nga rezultatet e reformës së fundit për financimin e fushatave në Amerikë, siguroi që dhuruesit nuk mund t’u japin shuma të mëdha parash partive gjë që do të ndikonte shumë tek këto fushata. Kështu kandidatët dhe partitë u detyruan të mblidhnin kontribute të vogla. Demokratët ndërkohë e kanë dhjetëfishuar numrin e atyre që kanë dhënë secili më pak se 200 dollarë”.

Edhe sindikatat, korporatat dhe shoqatat mbledhin kontribute të veçanta pë komitetet e tyre politike. Paratë që ata mbledhin mund të përdorin për regjistrimin e votuesve, për t’u dërguar pamflete votuesve dhe për të realizuar reklama në televizion dhe radio, në favor ose kundër një kandidati. Megjithatë këto grupe nuk mund t’u japin para direkt një kandidati, apo to kontribuojnë direkt për një parti politike.

Sipas analistëve politikë, kandidatët që mbledhin më shumë para zakonisht fitojnë. Sigurisht, një kandidat me një mesazh që tërheq votuesit është në gjendje të fitojë ndaj një kandidati që ka mbledhur më shumë para. Por fondet e shumta asnjëherë nuk prishin punë.

XS
SM
MD
LG