Lidhje

BE: Anëtarësia e Turqisë në pikëpyetje - 2004-09-20


Komisioni Europian bëri të ditur se bisedimet mbi anëtarësinë e mundshme të Turqisë në Bashkimin Europian nuk mund të fillojnë derisa Ankaraja të reformojë kodin e saj penal. Duke folur në Bruksel, një zëdhënës i komisionit tha se Turqia duhet të miratojë një kod të ri civil, duke e quajtur atë si “elementin kryesor të reformës.”

Komisioni ekzekutiv i BE-së do të paraqesë një raport në fillim të muajit të ardhshëm për të përcaktuar nëse Turqia ka përmbushur kriteret politike dhe ekonomike të cilat do të lejonin fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Por vëzhguesit thonë se javën e kaluar u ngritën shumë dyshime, kur kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan e tërhoqi paketën e reformës së kodit penal nga parlamenti, pasi konservatorët këmbëngulën që tradhëtia bashkëshortore të dënohet si krim.

Tregu i aksioneve të Turqisë ra 2.2 përqind sot ndërsa investitorët shqetësohen rreth të ardhmes së bisedimeve midis Turqisë dhe BE-së. Rënia iu shtua humbjes prej 4 përqind të së premtes.

XS
SM
MD
LG