Lidhje

Shqipëri: KQZ kthehet në nyje gordiane të politikës shqiptare - 2004-09-20


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është kthyer në nyjen gordiane të politikes shqiptare. Ky problem i debatueshëm prej kohësh ka bllokuar totalisht punën për përmirësimin e Kodit elektoral, i cili sipas rekomandimeve të Osbe-Odihr-it duhet të preket në pothuajse gjysmën e neneve të tij

Pas kërkesës së kryetarit të grupit parlamentar të partisë demokratike Bamir Topi, sot në prani dhe të ambasadorit të Osbe-së Osmo Lipponen pritet të zhvillohet një takim me kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci. Demokratët kërkojnë zbatimin e marrëveshjes së 1 korrikut të firmosur nga të dy partitë e në të cilën parashikohet balancimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Zoti Topi akuzoi sot sërish socialistët se me qëllim po zvarrisin procesin: "Ka një tendencë, për ta shtyrë e për ta futur në rrjedha kronike e për ta riaktivizuar pas zgjedhjeve, për të thënë që zgjedhjet vërtetë bënë një progres, por vërtetë pushteti mbetet në duar të pamerituara".

Me kundërshtimet e tyre dhe deklaratat jo gjithnjë të njëjta përsa i përket kësaj cështjeje socialistët duket se po kërkojnë të fitojnë kohë. Mosbesues mesa duket qartë ndaj ambasadorit të Osbe-së Osmo Lipponen, tashmë në ikje e sipër nga Shqipëria, si dhe ndaj ekspertëve të përzgjedhur prej zyrës së tij, socialistët sic u shpreh sot kryetari i grupit Gramoz Ruci janë në pritje të ekspertëve të tjerë të dërguar nga Odihr. Me kërkesë të kryeministrit Nano: "I kemi ftuar institucionalisht që të asistojnë dhe të hedhin në letër si e kuptojnë ata atë që kanë shkruar në rekomandimet e bëra nga raporti I Odihr dhe Osbe-së".

Dy variantet e deritanishme për balancimin e komisionit qëndror të zgjedhjeve quhen të papranueshme dhe antikushtetuese nga socialistët.

Por pavarësisht se si do te zgjidhet cështja e komisionit qëndror, kjo pikë është bërë pengesa kryesore për ecurinë e mëtejshme të reformës zgjedhore. Një shqetësim të tillë e shprehu sot edhe Komiteti shqiptar i Helsinikit. Sipas këtij komiteti është vënë në pikëpyetje jo vetëm hartimi dhe miratimi në kohën e duhur I project ndryshimeve të Kodit, por edhe cilësia në aspektin professional ligjor dhe kushtetues të tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG