Lidhje

Zgjedhjet presidenciale dhe grupet e pavarura që sulmojnë kandidatët - 2004-09-20


Gjatë gjithë fushatës këtë vit, këto organizata kanë mbledhur miliona dollarë për reklama televizive negative kundër presidentit George Bush dhe rivalit të tij demokrat, Xhon Kerri. Shumica e reklamave janë përqendruar në shërbimin ushtarak të kandidatëve gjatë periudhës së Luftës së Vietnamit, apo dhe lufta e tanishme në Irak.

Reklamat janë përgatitur nga grupe të pavarura që sipas interesave sulmojnë si presidentin Bush ashtu edhe Senatorin Kerri. Financimet për reklamat janë jashtë rregulloreve të zgjedhjeve federale dhe nuk kanë kufizim fondesh. Një grup i quajtur “Prodhimet e kuqe, të bardha dhe blu” krijuan dokumentarin e quajtur “Nderi i Vjedhur.” Ata përdorin dëshmi nga ish të burgosur amerkianë nga lufta në Vietnam për të akuzuar John Kerry-n dhe aktivistë të tjerë të njohur kundër luftës, për rrezikimin e jetës të ushtarëve amerikanë që mbaheshin rob në Vietnam në vitin 1971. Në reklamë një ish rob lufte në Vietnam shprehet.

“Ata që morën pjesë në lëvizjen kundër luftës, bënë që ajo të zgjatej dhe shkaktuan viktima të tjera mes amerikanëve, dhe mua më mbajtën në burg më gjatë.”

Dokumentari në fjalë dhe reklama të tjera televizive janë shembuj se si grupe me interesa të veçanta, jo të lidhur drejtpërdrejt me njërën parti politike apo tjetrën, blejnë kohë televizive për të dëmtuar besueshmërinë dhe reputacionin e presidentit Bush dhe senatorit Kerry. Shumë nga reklamat janë bërë për të gjallëruar mbështetësit më besnikë brenda dy partive politike. Një grup i quajtur “Teksanët për të Vërtetën,” të cilët mbështesin partinë demokratike dhe kandidatin Kerri, përgatitën një reklamë televizive që vinte në pyetje ndershmërinë e presidentit Bush dhe shërbimin e tij gjatë periudhës së Luftës në Vietnam në Gardën Ajrore Kombëtare. Ja se çfarë thotë reklama:

“Unë dëgjova George Bushin të ngrihej dhe të thoshte se kishte shërbyer në Gardën Ajrore Kombëtare në Montgomery, Alabama. Unë thashë, me të vërtetë, sepse ajo ka qene njësia ime dhe mua nuk më kujtohet ta kem parë atë aty. Prandaj unë thirra shokët e mi dhe i pyeta nëse e dinin që George Bushi të kishte shërbyer në njësinë tonë, dhe ata më thanë se nuk e kishin parë asnjëherë aty.”

Gjatë kësaj gare presidenciale grupet e pavarura kanë shpenzuar miliona dollarë për reklama televizive kritike duke vënë në pikëpyetje karakterin dhe vërtetësinë e kandidatëve. Denis Johnson me universitetin George Washington thotë se reklamat negative më të efektshme godasin thelbin e personit që konkuron.

Dennis Johnson, në degën e Menaxhimit Politik në Universitetin George Washington, thotë se reklamat televizive negative që kanë pasur më shumë sukses në këtë garë presidenciale deri tani kanë qenë reklamat e një grupi veteranësh që sulmonin kohën e shërbimit në Vietnam të senatorit Xhon Kerri.

Ne pamë se gjatë muajit gusht, kur këto reklama filluan të shfaqeshin dhe Zoti Kerry filloi të sulmonte nga ana tjetër, vlerësimi për zotin Kerry si komandant dhe për mënyrën se si do ta trajtonte luftën, ra. Me sa duket kjo ndikoi tek shumë njerëz dhe veçanërisht tek veteranët se ndoshta John Kerry nuk do të ishte personi i duhur për të drejtuar vendin. Pra nëse ne marrim vesh se nga këto grupe po jepet mesazhi i drejtë kjo pa dyshim që mund t’i dëmtojë kandidatët.

Ka dhe grupe të tjera të pavarura që kanë filluar fushata publike kundër politikave të administratës së presidentit Bush në Irak. Grupe të tilla si "ito Pa Luftë" një koalicion i 42 organizatave të ndryshme, pjesëtarët e së cilës janë shumica nga familje që kanë humbur të dashurit e tyre në lftën e Irakut.

Përveç konferencave për shtyp për të bërë të njohur mesazhin e tyre, grupe të tjera interesash të veçanta kanë hapur faqe interneti dhe u kanë dërguar reklama organizatave të mediave duke shpresuar të marrin kohë pa pagesë në programet e lajmeve vendore. Reklamat për shërbimin e zotit Kerri në Vietnam, u dhanë vetëm në pak shtete, por për shkak të debateve rreth tyre, reklamat u shfaqën pa pagesë edhe në programet lokale të lajmeve.

Por organizata të tjera janë të financuara mirë dhe kanë mundësi të blejnë pjesë të mëdha kohe për reklama në stacionet televizive. Që nga marsi, fushatat e dy kandidatëve dhe organizatave respektive që i mbështesin ata, kanë shpenzuar rreth 287 milion dollarë për reklama televizive. Analistë politikë thonë se përderisa financimet e grupeve politike me interesa të veçanta të mbeten të fuqishme, votuesit mund të presin sulme të tjera negative në valët televizive gjatë garave të ardhshme presidenciale.

XS
SM
MD
LG