Lidhje

Shqipëri: mbetet pezull procesi i reformës zgjedhore - 2004-09-21


Në Shqipëri procesi i reformës zgjedhore ka mbetur ende pezull edhe pas takimit të djeshëm mes ambasadorit të OSBE-së Osmo Lipponen dhe dy kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kërkesa e socialistëve që komisioni parlamentar të vazhdojë punën ndërkohë që bisedohet për cështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është pranuar nga demokratët

I vetmi përparim i arritur në takimin e mbrëmshëm mes ambasadorit të OSBE-së Osmo Lipponen dhe drejtuesve të dy grupeve parlamentare të socialistëve dhe demokratëve duket se ka qenë lënia hapur e mundësisë për takime të tjera. Asgjë më shumë se kaq.

Ideja se pas këtyre bisedimeve komisioni parlamentar për reformën elektorale do të riniste punën rezulton të ketë qenë më shumë një interpretim i shtypit i nxitur më tepër nga optimizmi i matur i ambasadorit Lipponen dhe deklarata e zotit Ruci, i cili e quajti thuajse të arritur një marrëveshje të tillë. Por shumë pak vunë re se një gjë e tillë nuk u pohua apo konfirmua nga zoti Topi. Dhe sot faktet tregojnë të kundërtën. Komisioni për reformën zgjedhore nuk u mblodh sërish.

Gjithshka është në pikën e fillimit. Kryetarët e dy grupeve pritet të takohen sërish të thirrur nga ambasadori Lipponen. Por nëse qëndrimet nuk ndryshojnë atëherë duket thuajse e pamundur që të ecet përpara. Socialistët kërkojnë vazhdimin e punës dhe për komisionin qëndror të Zgjedhjeve mbeten në pritje të ekspertëve të tjerë të Odihr-it. Demokratët ndërkaq këmbëngulin në respektimin e marrëveshjes së 1 korrikut, ku Komisioni Qëndror është pika e parë.

Socialistët nuk pranojnë asnjë nga variantet e paraqitur nga grupi i ekspertëve të OSBE-së, as ndryshimi e kushtetutës, as ndërprerja e mandatit të anëtarëve aktualë, duke i cilësuar si të pazbatueshme. Demokratët nga ana tjetër kërkojnë që socialistët të vendosin rreth njërit prej këtyre modeleve.

Opozita është e prerë në këtë pikë dhe nuk lëshon pe. Pa zgjidhur problemin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve balancimin e së cilit e konsideron jetik, nuk do të bëjë asnjë hap tjetër. Këtë herë ajo është e favorizuar nga fakti që socialistët e kanë pranuar me shkrim në marrëveshjen e 1 korrikut, nevojën e balancimit të këtij komisioni.

Bllokimi i reformës zgjedhore rrezikon të acarojë më tej situatën tashmë të ndezur. Socialistët kanë filluar të mendojnë edhe për zgjidhje të tjera të njëanshme që mund të çojnë në rikompozimin e komisionit të reformës zgjedhore duke lëshuar në pikën e vetos që u njihet dy partive më të mëdha, për të tërhequr në këtë mënyrë partitë e vogla të opozitës, një zgjidhje "in ekstremis" e cila vështirë se mund të jetë frytdhënëse apo e pranueshme për vetë procesin zgjedhor.

Shmangia e partisë më të madhe të opozitës nuk do të mund të interpretohet vetëm si shprehje e vullentit për të bërë reformë, apo për të plotësuar rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, ajo do të zhvlerësonte edhe marrëveshjen e arritur më 1 korrik.

XS
SM
MD
LG