Lidhje

Presidenti Bush mbron vendimin amerikan për të ndërhyrë në Irak - 2004-09-21


Presidenti Bush nuk i përmendi drejtëpërdrejtë komentet që bëri javën e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, kur ai e cilësoi si të paligjshme luftën në Irak.

Por Presidenti shtoi se Këshilli i Sigurimit e kishte paralajmëruar regjimin e mëparshëm irakian për pasosja serioze në se do t’i shkelte rezolutat e miratuara dhe shtoi se koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, sipas fjalëve të presidentit Bush “zbatoi kërkesat e drejta të botës”.

Në një fjalim ku u prekën tema të ndryshme, Presidenti Bush i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë qeveritë në Irak dhe Afganistan ndërsa terroristët po përpiqen të pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve në këto dy vende.

“Mund të presim që sulmet terroriste të shtohen ndërsa në Afganistan dhe Irak po afrohen zgjedhjet e përgjithshme. Puna që kemi përpara është e vështirë. Por vështirësitë nuk do ta dobësojnë bindjen tonë se e ardhmja e Irakut dhe Afganistanit është e ardhmja e lirisë. Përgjigja ndaj vështirësive nuk është tërheqja, por këmbëngulja.”

Presidenti premtoi të qëndrojë përkrah popullit afgan dhe atij irakian derisa shpresat e tyre për liri dhe siguri të plotësohen dhe shtoi se këto vende do të jenë një model për Lindjen e Mesme, ku siç tha ai, miliona njerëzve u janë mohuar të drejtat e njeriut dhe drejtësia më e thjeshtë.

Presidenti tha se shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë toleruar, madje e kanë justifikuar shtypjen në Lindjen e Mesme për hir të qëndrueshmërisë.

Ai tha se reformat demokratike janë jetike për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe shtoi se të dyja palët në këtë konflikt duhet të arrijnë marrëveshjen e paqes që i kanë premtuar komunitetit ndërkombëtar.

“Shtetet arabe duhet t’i japin fund nxitjes së urrejtjes në shtypin e tyre, të ndërpresin financimin publik dhe privat për terrorizmin dhe të vendosin marrëdhënie normale me Izraelin. Izraeli duhet të pezullojë krijimin e vendbanimeve të reja, të prishë vendbanimet e paautorizuara, t’i japë fund poshtërimit të përditshëm të palestinezëve dhe të shmangë çdo veprim që paragjykon bisedimet përfundimtare.”

Presidenti Bush, duke e bërë të qartë se interesat globale të Amerikës shtrihen përtej Lindjes së Mesme, përshëndeti Këshillin e Sigurimit për rezolutën që miratoi javën e kaluar për krizën në Darfur të Sudanit dhe i bëri thirrje qeverisë së Khartumit të respektojë armëpushimin që nënshkroi në muajin prill dhe të ndalojë vrasjet në Darfur.

Ai theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për luftën kundër Sidës, trafikut të qënieve njerëzore dhe korrupsionit, si dhe mbështeti idenë e zëvendësimit të huave me ndihma në formë dhurate të drejtpërdrejtë për vendet në zhvillim, si dhe përkrahu nismën e Kosta Rikës për ndalimin e përgjithshëm të përpjekjeve për klonim njerëzor.

Presidenti Bush tha se përhapja e lirisë është rruga drejt një bote më të sigurtë e më të mirë dhe propozoi krijimin e një Fondi për Demokracinë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, për të nxitur shtetin ligjor dhe institucionet demokratike.

//ze//

XS
SM
MD
LG