Lidhje

Opozita mungon në komisionin e reformës zgjedhore - 2004-09-22


Komisioni parlamentar dypalësh zhvilloi të mërkurën mbledhjen e radhës pa pjesëmarrjen e anëtarëve të opozitës, megjithë mirëkuptimin e arritur midis palëve me ndërmjetësimin e OSBE.

Deputetët socialistë u paraqitën në takim pas bisedimeve shpresëdhënëse për vazhdimin e punës, që u zhvilluan mes socialistit Gramoz Ruçi, demokratit Bamir Topi dhe ambasadorit Osmo Lipponen të OSBE-së.

Por përfaqësuesit e opozitës munguan, duke u shprehur edhe një herë skeptikë për tolerancën e socialistëve gjatë bisedimeve. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Partia Socialiste po përgatitet me shumë mënyra t’i manipulojë zgjedhjet e ardhshme, edhe përmes kontrollit ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“PD-ja është e vendosur të marrë pjesë në komision në momentin më të parë që socialistët do të heqin dorë nga pronësia mbi KQZ-së”, tha zoti Berisha.

Reforma zgjedhore është bërë një temë e ditës në qarqet politike të Tiranës. Opozita e ka vendosur si një kërkesë kryesore balancimin partiak të KQZ. Nga ana tjetër, socialistët janë shprehur se ata janë të gatshëm të përgatisin me mirëkuptim ndryshimet ligjore sipas rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë, duke theksuar se midis tyre nuk figuron ndonjë kërkesë për ndryshimin e KQZ.

Përfaqësuesi i OSBE në Tiranë, Amb. Osmo Liponen, u takua dy ditë më parë me kryetarin e grupit parlamenatr të PS, Gramoz Ruçi, dhe kryetarin e grupit të PD-së, Bamir Topi, në përpjekje për të zhbllokuar pezullimin e punës në komisionin dypalësh.

Ky komision është i dyti brenda një viti ndërtuar nga forcat kryesore për të regulluar difektet e Kodit Zgjedhor dhe parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG