Lidhje

Reagime mbi ligjin francez për të hequr simbolet fetare nga shkollat - 2004-09-22


Vendimi i qeverisë franceze për të eliminuar simbolet fetare nga shkollat publike ka ngjallur reagime të shumta.

Sipas ligjit të ri, nxënësit e shkollave publike në Francë nuk lejohen të mbajnë simbole të dallueshme fetare. Këtu përfshihen kësulat hebraike, turbanët e pasuesve të sektit indian Sik, kryqet e mëdhenj që mbajnë të krishterët dhe perçet ose shamitë e kokës që vënë vajzat myslimane.

Vivien Uolt korrespondentja e revistës “Time” thotë se ky ligj është pjesë e përpjekjeve të qeverisë franceze për të asimiluar imigrantë të rinj.

Për shembull, formularët francezë për regjistrimin e popullsisë nuk i pyesin qytetarët se cilit besim fetar apo cilit grup etnik i përkasin. Është shumë e vështirë të gjesh statistika lidhur me numrin e myslimanëve që jetojnë në Francë, pasi pyetje të tilla janë të ndaluara, thotë zonja Vivien.

Xhuliet Mins sociologe dhe autore e librit “Nën Perçe: Gratë Myslimane”, thotë se Franca është një vend laik.

Çdokush është një individ dhe pavarësisht nga besimi fetar, në shkollë çdo fëmijë është nxënës dhe duhet të studiojë si gjithë të tjerët. Askush nuk mund të kundërshtojë, ta zëmë, të mos pranojë të studiojë Volterin, pasi mendon se shkrimet e tij janë kundër besimit fetar të nxënësit. Së dyti, shamia e kokës ka një kuptim të thellë në fe dhe në shoqëri, pasi simbolizon se gratë janë inferiore ndaj burrave. Ajo nënkupton se gratë duhet t’u binden burrave. Ne si feministe nuk mund t’i pranojmë këto dallime. Dhe së treti, kjo është mbi të gjitha një sfidë politike. Pak kohë më parë askush nuk guxonte ta mendonte se mund të vinte shami koke në shkollë. Në shtëpi mund të bësh ç’të duash. Por kur është fjala për administratën apo shkollën, duhet të ndjekësh rregullat, thotë zonja Mins.

Por Kamal Navash, president i Koalicionit të Lirë Mysliman kundër Terrorizmit thotë se nuk sheh ndonjë problem me ligjin e ri.

Kurani nuk ka thënë ndonjëherë se duhet të mbulosh flokët. Ai thotë vetëm se duhet të mbulosh kraharorin. Të tjerat evoluan gjatë viteve. Mendoj se këto kanë pjesërisht burim kulturor. Arsyeja përse unë si mysliman nuk mund ta kritikoj Francën, ose që nuk u ushtroj presion udhëheqësve myslimanë të kritikojnë Francën është sepse nëse kërkon të kritikosh Francën dhe të të dëgjojnë të tjerët, duhet së pari të kritikosh Arabinë Saudite dhe Iranin, që i detyrojnë gratë të vënë shamitë e kokës. Pra duhet të kemi një standart ndërkombëtar, ku të ketë liri besimi dhe më pas ia lëmë në dorë çdo vendi të vendosë rregullat. Në këtë rast, meqë nuk po kritikojmë Iranin, si dhe një numër vendesh të tjera myslimane, që i detyrojnë gratë të vënë shamitë e kokës, nuk mendoj se mund të kritikojmë Francën, thotë zoti Navash.

Marie Bremer gazetare për revistën “Vanity Fair”, thotë se çështja e ndalimit të simboleve fetare, si e shamive të kokës të vajzave myslimane, ngre një problem të rëndësishëm: “A duhet të zhbëhet i gjithë nocioni i Republikës Franceze dhe nocioni i laizmit të jetë barazia?”, pyet ajo.

Pyetje të tilla, pra si të arrihet ekuilibri ndërmjet laizmit dhe besimit fetar në shoqëri, po ngrenë tani në Francë dhe gjetkë si besimtarët myslimanë, ashtu edhe të tjerët.

XS
SM
MD
LG