Lidhje

Shkelje të rënda nga qeveria e Zimbabves - 2004-09-23


Qeveria e Zimbabvesë po dëbon tani mijëra zezakë nga tokat që ata zaptuan me nxitjen e qeverisë pas shpronësimit të fermerëve të bardhë. Që nga viti 2000, qeveria e Presidentit Robert Mugabe, ka shpronësuar në mënyrë të paligjshme mbi 5 mijë ferma në pronësi private.

Sipas njoftimeve, ndoshta mijëra nga fshatarët që i zaptuan këto toka, kanë mbetur tani pa shtëpi në distriktin Trelawney, në veri të kryeqytetit Harare. Zaptuesit e tokave u dëbuan nga policia dhe shtëpive të tyre iu vu zjarri. Ka njoftime se dëbimi i tyre ishte vepër e njerëzve të lidhur me partinë në pushtet ZANU-P-F që synojnë t’i marrin tokat për vete.

Një prej të përzënëve është Reuben Mashanda. Ai ishte vendosur në një parcelë që i përkiste fermës blegtorale “Little England”, “Anglia e Vogël”. Si përkrahës i partisë ZANU-P-F të Presidentit Mugabe, zoti Mashanda u tha gazetarëve se atij dhe të tjerëve që u vendosën në tokat e shpronësuara u ishte thënë se “toka do t’u përkiste atyre përgjithmonë”.

“Gjeja më e mirë që mund të bëjmë tani është të marrim kontakt me Presidentin Mugabe dhe të bisedojmë me të në telefon. T’i themi se ne që u vendosëm në fermën “Anglia e Vogël” na është thënë të largohemi. Shumë prej shtëpive tona janë djegur dhe njerëzit kanë dalë në rrugë”, thotë ai.

Abuzimi i fundit me pushtetin nga qeveria e Zimbabvesë konfirmon atë që tha Ndihmës Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit J. Scott Carpenter në fillim të vitit se “duke shkelur procesin politik dhe të drejtat e njeriut, duke manifestuar mungesë të theksuar respekti për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, një vend që më parë dukej premtues e me një të ardhme të ndritur, është kthyer tani në një shtet të shkatërruar, të mjerë dhe të izoluar”.

XS
SM
MD
LG