Lidhje

SHBA: vazhdon fushata presidenciale - 2004-09-23


Iraku është çështja kryesore e fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bush e mbron vendimin e tij për të ndërhyrë në Irak dhe thotë se bota u bë më e sigurt, me përmbysjen e Saddam Husseinit nga pushteti. Rivali i tij demokrat, senatori John Kerry e kritikon presidentin për rrugën që ndoqi për fillimin e luftës dhe për atë që zoti Kerry e quan dështim të presidentit përsa i përket planeve për Irakun e pasluftës.

Në fjalimet e tij gjatë fushatës, Senatori John Kerry e akuzon presidentin Bush se nuk ka qenë i ndershëm me popullin amerikan, lidhur me vështirësitë me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në Irak.

”Për Irakun, kjo administratë ka bërë shumë premtime, por nuk ka patur shumë sukses. Politika e adminsitratës është karakterizuar nga mungesa e planifikimit, mungesë qartësie, arrogancë dhe paaftësi të plotë. Dhe presidenti nuk ka bërë askënd përgjegjës, as veten e tij”- tha presidenti.

Sipas Allen Keiswetter, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që ka shërbyer si për administrata demokrate, ashtu edhe republikane, John Kerry beson se një dështim i madh ishte këmbëngulja e Presidentit Bush për të shkuar në luftë pa përkrahjen e aleatëve tradiciononalë të Shteteve të Bashkuara. Zoti Keiswetter thotë se nëse senatori Kerry zgjidhet president, ai do të bashkëpunojë më shumë në arenën ndërkombëtare. “Përveç një plani për paqen dhe një plani për luftën, ai theksoi gjithashtu se është e nevojshme të sigurohet mbështetja ndërkombëtare, pra një koalicion i vërtetë. Megjithatë ai e ka mbrojtur të drejtën e Shteteve të Bashkuara për të vepruar vetëm, kur është e nevojshme të mbrohen interesat amerikane”, thote zoti Keiswetter.

Danielle Pletka, ish-presidente për politikën e jashtme dhe të mbrojtjen në Institutin American Enterprise, një organizatë studimore këtu në Washington, beson se vendimi i presidentit Bush për të shkuar në luftë, ishte i drejtë. “Ishte diçka e nevojshme, sepse pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara nuk mundeshin thjesht të mbanin të njëjtin qëndrim si para 11 shtatorit, pra të prisnin se çfarë rreziku do të na kanosej. Sadam Huseini përbënte kërcënim”.

Zonja Pletka thotë se asnjë president i përgjegjshëm nuk do ta kishte lejuar Saddam Husseinin të vazhdonte të mbante pushtetin, megjithëse ajo e pranon që Administrata e Presidentit Bush nuk kishte bërë shumë planifikime për Irakun e pasluftës.

Presidenti Bush e mbron vendimin e tij për të shkuar në luftë dhe kritikoi zotin Kerry. “Është e pabesueshme që tani ai mendon se ne do të ishim më të sigurt me Saddam Husseinin në pushtet dhe jo në qeli. Ai është shprehur se "ne këmbyem një diktator me një kaos që e ka bërë më të pasigurt Amerikën’. Ai thotë se parapëlqen diktaturën para shpresës dhe sigurisë për demokracinë”.

Presidenti e akuzoi Senatorin Kerry se ndryshon shpesh mendim. John Kerry votoi pro dhënies së autoritetit për të shkuar në luftë të presidentit dhe në zgjedhjet paraprake të demokratëve, ai e mbroi vazhdimisht votën e tij.

Një pikë tjetër përplasjesh mes Presidentit Bush dhe Senatorit Kerry është prania e trupave amerikane në Irak. Tashmë numri i ushtarëve të vrarë atje e ka kaluar shifrën e 1000 vetëve.

Presidenti Bush nuk ka dhënë ndonjë datë për tërheqjen amerikane nga Iraku. Ai thotë se një gjë e tillë vetëm do t’i inkurajonte terroristët. Presidenti ka premtuar se forcat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak, përsa kohë të jetë e nevojshme për të ndihmuar qeverinë e përkohshme që të konsolidojë sigurinë dhe të zhvillojë zgjedhjet në fund të vitit të ardhshëm.

Por senatori Kerry thotë se nëse zgjidhet president, ai do ta ulë në mënyrë të konsiderueshme numrin e forcave amerikane në Irak gjatë gjashtë muajve të parë në detyrë dhe do të punojë për të kthyer shumicën e trupave amerikane brenda katër vjetësh. Ai ka në plan që forcat irakiane dhe ushtarë nga vende të tjera të zëvendësojnë trupat amerikane.

Zoti Kerry ka thënë se do të realizojë katër synime: riparimin e aleancave, stërvitjen e forcave irakiane të sigurisë, përmirësimin e ritmit të rindërtimit në Irak dhe mbajtjen e zgjedhjeve në janar.

Ish-diplomati Allen Keiswetter e pranon se do të jetë e vështirë për cilindo president që të tërheqë më shumë aleatë në këtë fazë që ndodhet Iraku, por ai shton se senatori Kerry mund të ketë më shumë sukses nga ç’ka patur deri tani Presidenti Bush. “Unë personalisht besoj se Senatori Kerry ka më shumë shanse sepse nuk i ka prishur marrëdhëniet me aleatët. Ai është një fytyrë e re dhe është i angazhuar për një qëndrim më ndërkombëtar, kështu që mendoj se ai ka më shumë shanse”,-thotë zoti Keiswetter.

Megjithë rritjen e numrit të viktimave mes ushtarëve amerikanë dhe keqësimin e gjendjes së sigurisë në Irak, anketat e fundit tregojnë se shumica e votuesve amerikanë ende besojnë se Presidenti Bush do të bëjë një punë më të mirë në përballimin e gjendjes në Irak, sesa John Kerry. Por mbeten ende disa javë deri në ditën e zgjedhjeve dhe shumë analistë thonë se ngjarjet në Irak mund të jenë vendimtare për rezultatin e votimit.

XS
SM
MD
LG