Lidhje

Të studjosh në Shtetet e Bashkuara?... - 2004-09-25


Studentët që duan të studiojnë jashtë vendit të tyre, preferojnë në shumicën e rasteve Shtetet e Bashkuara se sa çdo vend tjetër. Rruga për t’u pranuar në një universitet nuk është e lehtë, por me planifikim të rregullt çdo gjë realizohet.

”Gjithmonë kam dashur të vij këtu. E kisha ëndërr të vija për studime në Amerikë”, thotë Prianjali Ascarenhas. Ajo ishte 17 vjeçe kur filloi studimet në Universitetin Bryn Mawr në Filadelfia të Pensilvanisë. ”Nuk njihja njeri në këtë zonë. Mund të thuash që u tregova shumë e guximshme. Nuk isha larguar kurrë më parë nga shtëpia para se të vija në Universitetin Bryn Mawr”.

Afro 600 mijë studentë nga gjithë bota ndjekin universitetet amerikane. Më shumë se 3 mijë e 600 institucione të arsimit të lartë amerikan pranojnë studentë të huaj.

Megjithëse kishte një numër institucionesh për të zgjedhë, Prianjali Ascarenhas logjika e bëri të lehtë zgjedhjen: ”Zgjodha universitetin Bryn Mawr pasi doja të isha në një universitet të madh, dhe nga të gjithë universitetet e shkencat humane ku paraqita kërkesë, Bryn Mawr më ofroi ndihmë financiare dhe përfundova në Filadelfia”.

Zgjedhja e qytetit ku do të studiosh është një ndër vendimet më të rëndësishme të studentit. Ata duhet të zgjedhin madhësinë dhe vendndodhjen e institucionit arsimor dhe specialitetin e tyre akademik. Mund të duket një vendim i çuditshëm që ndokush të vijë në Shtetet e Bashkuara për studime aziatike, por jo për Karen Wong nga Singapori. ”Shtetet e Bashkuara kanë sistemin më të mirë arsimor në botë për shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Këtu gjen mundësitë për të takuar dhe njohur njerëz që marrin vendime me ndikim mbarë-botëror. Këtë nuk e gjen në vende të tjera”.

Cheryl Darrup-Boychuck drejton Revistën Akademike Amerikane, një faqe interneti që ofron informacion për studentët që duan të njihen me procesin e zgjedhjes dhe financimit të studimeve universitare në Shtetet e Bashkuara, që synon të nxisë studentët të zgjedhin universitete amerikane. ”Mendoj se një student që është i interesuar për të studiuar në Shtetet e Bashkuara duhet të bëjë së pari vlerësimin e vetes, pra të vendosë se ku do të përqëndrohet. Në Shtetet e Bashkuara mund të zgjedhësh nga një listë me afro 500 lëndë të ndryshme mësimore”.

Ajo i këshillon studentët të bëjnë kërkime në internet. ”Megjithëse shumë institucione duan të pranojnë vetëm studentët më të mirë dhe më të zellshëm. Kostoja e lartë e studimeve është një tjetër faktor. Vetëm shkolla mund të kushtojë deri në 40 mijë dollarë, ndërsa shpenzimet e jetesës gjatë viteve të shkollës luhaten nga 15 mijë deri në 40 mijë dollarë. Ndihmat financiare dhe bursat janë shumë të kufizuara”.

Shantanu Sood nga New Delhi po ndjek studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Georgetown. ”Kam marrë një kredi nga banka, pasi shkolla nuk më ka dhënë ndihmë financiare. Kjo është një barrë e rëndë për ne. Për t’u pranuar duhet të tregonim se kishim rreth 50 mijë dollarë në bankë”.

Familja e tij shpenzuan të gjitha kursimet dhe morën borxh për të kompensuar pjesën tjetër të kostos. Kjo mënyrë ndiqet nga shumë studentë ndërkombëtarë. Studentët që kanë në plan të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të punojnë për të mbuluar një pjesë të kostos, duhet të dinë se, para se të marrin vizën, duhet të kenë letrën e pranimit në Universitet, si dhe llogaritë bankare apo një dokument për miratimin e ndihmës financiare, që provojnë se personi ka fonde të mjaftueshme për të studiuar dhe jetuar në Shtetet e Bashkuara. //az//

XS
SM
MD
LG