Lidhje

Reformim për Këshillin e Sigurimit?  - 2004-09-25


Organizata e Kombeve të Bashkuara u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, me synimin për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë në botë. Organizmi më i fuqishëm i OKB-së, Këshilli i Sigurimit ka përgjegjesinë kryesore në këtë drejtim.

Joshua Muravchik i Institutit American Enterprise thotë se kjo detyrë nuk është realizuar kurrë. “Nuk ka funksionuar dot në mënyrë të tillë që të bëhet themeli i paqes dhe qëndrueshmërisë, ashtu siç e kishin parashikuar ata që e krijuan”. Ai thotë se kur mbaroi Lufta e Ftohtë, kishte shumë shpresa që gjërat do ndryshonin. “Kjo shpresë u trondit rëndë në vitet 1990, kur Kombet e Bashkuara, nuk vepruan në mënyrë konstruktive në Jugosllavi, ku u lejua gjithë ajo gjakderdhje dhe Kombet e Bashkuara u gjendën pa përgatitur, duke mos bërë asgjë, duke shkaktuar edhe më shumë gjakderdhje. Më pas erdhi debati për Somalinë, që në fakt kishte të bënte me Shtetet e Bashkuara, por nën flamurin e OKB-së, pastaj genocidi i tmerrshëm i Ruandës, në të vërtetë i vetmi genocid i pakundërshtueshëm që nga Lufta e Dytë Botërore, në të cilin mbi një milion njerëz u masakruan brenda pak javësh dhe OKB-ja ishte krejtësisht pasive para një realiteti të tillë”.

Rick Barton i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington thotë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u krijua për të ndërhyrë me shpejtësi në çështjet më të mprehta të luftës dhe paqes, por kryesisht e ka bërë një gjë të tillë, atëherë kur kanë dashur Shtetet e Bashkuara. “Efektiviteti i tij, reflekton në një masë të madhe vullnetin e Shteteve të Bashkuara, pasi si anëtarja më e fuqishme e grupit kryesor të anëtarëve të përhershëm, ka ndikim shumë të madh në biznesin e tij. Por jo gjithmonë Shtetet e Bashkuara e dinë se çfarë duan, kështu që ne veprojmë në bazë të bindjes nëse ka vlerë apo jo diçka”.

Aktualisht Këshilli i Sigurimit ka pesë anëtarë të përhershëm: Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina dhe Rusia që kanë të drejtën e vetos. 10 anëtarë të tjerë zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme për mandate dyvjeçare. Grupet afrikane, të Amerikës Latine dhe të Evropës Perëndimore zgjedhin nga dy anëtarë secili. Grupet arabe, aziatike dhe evropiano-lindore zgjedhin nga një anëtar secili. Vendet e tjera merren me radhë nga vendet aziatike dhe afrikane.

Rick Barton thotë se janë bërë sugjerime të shumta për ndryshimet në përmasat dhe anëtarësinë e Këshillit. “Vende të ndryshme të botës kanë përkrahur secilin nga këto propozime dhe të tjera, çka është njëra nga arsyet që komiteti i emëruar nga Asambleja e Përgjithshme për të shqyrtuar këtë çështje, ka 10 vjet që bën takime dhe nuk ka arritur një konsensus”. Ai thotë se njëra nga arsyet është ndikimi amerikan. “Mendoj se besueshmëria e Kombeve të Bashkuara po sfidohet tani sepse në shumë të botës, veçanërisht në botën arabe tani, Kombet e Bashkuara konsiderohen si një shtojcë e Shteteve të Bashkuara. Kjo e bën jo shumë efektive”.

Plani i reformave në bazë të së cilit po punon aktualisht komisioni i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ka mundësi të bëjë thirrje për zgjerimin e Këshillit. Një numër vendesh, po bëjnë përpjekje për t’u bërë anëtare të përhershme. Mes tyre janë Japonia, që po shpreson të bëhet anëtare e përhershme dhe Afrika e Jugut, që po përpiqet për një vend për shtetet afrikane.

Joshua Muravchik thotë se planet që po diskutohen aktualisht për reformimin e Këshillit të Sigurimit, nuk do ta përmirësojnë funksionimin e tij. “Në fakt të gjitha të ashtuquajturat plane për reforma, do të sillnin zgjerimin e Këshillit të Sigurimit, gjë që do ta vështirësonte arritjen e konsensusit dhe do ta dobësonte edhe më shumë punën e këtij organizmi”. Ai thotë se njerëzit që shqetësohen për OKB-në, duhet të shqetësohen për faktin sesa i dobët dhe i pasuksesshëm ka qenë Këshilli i Sigurimit për çështjet e paqes dhe sigurisë.

Si zoti Muravchik, ashtu edhe zoti Barton janë të një mendjeje se Kombet e Bashkuara duhet të jenë më përfaqësuese.

-“Mendoj se duhet të bëhen ndryshime tek përbërja e tij, pasi ka vende që përfaqësohen më shumë se ç’duhet”.

-“Kombet e Bashkuara do të jenë një organizatë me peshë dhe nëse do që të mbijetojë në realitetin e sotëm në botë, vetëm nëse përfaqëson në mënyrë të pashmangshme, ose reflekton ndryshimet e pushtetit dhe ndikimit të vendeve të ndryshme”.

Plani që po harton komisioni i Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Annan, thuhet se i merr në konsideratë këto çështje. Ky komision pritet t’ia paraqesë propozimin përfundimtar zotit Annan deri më 1 dhjetor. //az//

XS
SM
MD
LG