Lidhje

Afganistan: në Herat rivendoset rendi e qetësia - 2004-09-26


Rendi dhe qetësia janë rivendosur në qytetin pertëndimor Herat të Afganistanit pas protestave me dhunë që lanë të vdekur të paktën 7 vetë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Protestat pasuan shkarkimin nga ana e Presidentit Hamid Karzai të Ismail Khanit nga posti i guvernatorit ushtarak të provincës Herat. Qindra demonstrues të zemëruar plaçkitën dhe u vunë zjarrin zyrave të disa agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Karzai thotë se protestat paqesore jenë të lejuara në Afganistan, por nëse ato shndërrohen në trazira me dhunë, autoritetet do të veprojnë: “Ata që kryejnë akte dhune kundër zyrave të OKB-së apo të organizatave të të drejtave të njeriut, thotë Presidenti Karzai, janë nxitës trazirash, ata janë njerëz që dëmtojnë paqen dhe qendrueshmrësinë, si edhe dinjitetin e Heratit dhe të gjithë Afganistanit. Kjo nuk është ajo që kërkon populli i Afganistanit. Kjo nuk është ajo që kërkon populli i Heratit dhe ne, shtoi udhëheqësi afgan, do të marrim masa të ashpra kundër tyre.”

Presidenti Karzai tha se vendimi i tij për të zëvendësuar Ismail Khanin me Sajid Muhamed Khair Khuuan ishte në inters të publikut: “Ne, tha zoti Karzai, e pamë të domosdoshme që të bëheshin ndryhsime në Herat në mënyrë që Heratit t’i jepej një shans më i mirë për të përmirësuar sigurinë dhe për të marrë pjesë në procesin politik të Afganistanit. Ky ishte një vendim për të mirën e Ismail Khanit, për të mirën e vendit dhe për të mirën e popullit të Heratit.”

Në muajin gusht, forcat e Ismail Khanit, shumica taxhikë, u angazhuan në luftime kundër anëtarëve të armatosur të milicisë pashtun të komanduar nga Amanullah Khani. Më shumë se një mijë e 500 trupa të qeverisë afgane u dërguan atje për të ndaluar luftimet. Vëzhguesit e të drejtave të njeriut thonë se anëtarët e forcave të sigurimit të Ismail Khanit kanë kryer një numër abuzimesh.

Reagimet në Herat ndaj shkarkimit të Ismail Khanit kanë qenë të ndryshme. Ne, i tha agjencisë Rojter një shitës në rrugë, kërkuam ndryshime për shkak se Islamil Khani ishte shumë i ashpër për sa u përket reformave shoqërore.

Ambasadori amerikan në Afganistan, Zalmej Halilzad, u bëri thirrje afganëve të bashkëpunojnë me guvernatorin e ri të Heratit. Gjatë disa viteve të fundit është bërë përparim i madh dhe Afganistani duhet ta vazhdojë këtë kurs, tha zoti Halilzad. Sigurimi, rindërtimi dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë të rëndësishme për gjithë afganët, përfshirë banorët e zonave perëndimore, dhe të drejtat e gjithë qytetarëve duhen respektuar.

XS
SM
MD
LG