Lidhje

Masa për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar mes Kosovës dhe Amerikës - 2004-09-26


Të hënën në Prishtinë, pritet të fillojë një takim dy-ditor për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis bizneseve në Kosovë dhe atyre në Shtetet e Bashkuara. Takimi synon krijimin e partneriteteve midis kompanive të Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara, përfshi edhe kompanitë në Kosovë që do të privatizohen së shpejti.

Zyra e SHBA-ve në Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën Informative të Biznesit për Evropën Lindore dhe Qendrore të Departamentit të SHBA-ve për Tregti, Qeverinë e Kosovës, Dhomën ekonomike amerikane dhe Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, organizon Misionin e parë të SHBA-ve për Tregti dhe Industri që synon të krijojë partneritete mes kompanive të SHBA-ve dhe Kosovës, duke përfshirë edhe kompanitë private dhe ato që do të privatizohen së shpejti.

Në këtë mision do të marrin pjesë më se dhjetë kompani private nga SHBA-të si dhe antarë të njohur të Dhomës ekonomike amerikane në Shqipëri. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është përparimi i bashkëpunimit të bizneseve, bashkëpunimit tregtar dhe investues mes SHBA-ve dhe Kosovës.

Zyra amerikane në Prishtinë bëri të ditur se mundësitë për tregti dhe investime me partnerët janë kërkuar në sektorët e bujqësisë, industrisë ushqimore, përfshirë prodhimin e verës, birrës dhe ambalazhimin e pijeve, materialeve dhe teknologjisë ndërtimore, energjisë, metalurgjisë dhe përpunimit të metaleve, hotelerisë dhe turizmit, transportit, telekomunikacioneve dhe teknologjia informative, shëndetsisë dhe biznesit bankar dhe sigurimeve.

Në takim pritet të marrin pjesë shefi i zyrës amerikane në Kosovë, Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, presidenti dhe kryeministri i Kosovës. Po kështu, në të pritet të flasin përfaqësues të ministrive të ndryshme në lidhje me programet dhe partneritetet në biznes si dhe ekspertë që do të paraqesin mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet në strukturën ligjorte në sektorin bankar dhe në procesin e privatizimit.

Një takim i tillë, me këtë pjesëmarrje është hera e parë që organizohet në Prishtinë dhe konsiderohet mjaft i rëndësishëm për bashkëpunimin midis kompanive dhe bizneseve të Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG