Lidhje

Kosovë: fillon punimet Misioni Amerikan për Tregtinë dhe Investimet - 2004-09-27


Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë thanë sot në Prishtinë se Kosova tashmë ka një mjedis që ofron qëndrueshmëri ekonomike dhe kushte të përshtatshme për investime të huaja.

Ata i bënë këto komente në fillim të Misionit treditësh amerikan për Tregtinë dhe Investime në Kosovë, që është organizuar nga Zyra e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën Informative të Biznesit për Evropën Lindore dhe Qendrore të Departamentit amerikan të Tregtisë, Qeverinë e Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Agjencinë e Mirëbesimit.

Misioni ka për qëllim të krijojë partneritet ndërmjet kompanive amerikane dhe atyre të Kosovës, përfshirë edhe ndërmarrjet private dhe ato që do të privatizohen së shpejti. Në Mision po marrin pjesë edhe disa ndërmarrje private amerikane.

Shefi i zyrës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Philip Goldberg tha se nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, se zhvillimi i saj ekonomik dhe për këtë roli i investuesve të jashtëm është i jashtëzakonshëm.

Ai tha se Kosova, si të gjitha vendet tjera në tranzicion, ka nevojë të zhvillojë lidhje të forta me botën e jashtme, në mënyrë që të përparojë dhe të ketë sukses. “Ky është thjesht një fakt i ekonomisë globale bashkëkohore dhe Kosova nuk mund të mbijetojë pa hyrë në atë treg më të gjerë. Investuesit e interesuar amerikanë kanë ardhur në Kosovë për të parë mundësitë dhe kushtet që mund t’u ofrohen. Ata presin ndihmë për projektet e tyre afariste që nga informacioni i thjeshtë për kushtet, e deri te perpjekjet e përkushtuara për të bindur afaristët e huaj se Kosova është një vend serioz për investime”, tha zoti Goldberg.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, tha se Misioni amerikan i Tregtisë dhe Investimeve po mbahet në një periudhë kur Kosova po lëviz me nxitim në rrugën drejt përparimit dhe integrimit Evropian. Ai tha se partneriteti në mes të sektorit publik dhe atij privat është një nga elementet thelbësorë të zhvillimit të Kosovës. “Qeveria e Kosovës tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për këtë partneritet siç janë regjistrimi i shpejtë i bizneseve, tatime të favorshme në rajon, ligje të pajtueshme me ato të Komunitetit Evropian, reforma për ristrukturim dhe privatizim, përmirësime në infrastrukturë dhe marrëveshje rajonale për tregtinë e lirë”, theksoi kryeministri Rexhepi. Ai shfaqi shpresën se ky mision është vetëm hapi i parë drejt integrimit të një rrjeti të udhëheqësve, institucioneve dhe njerëzve të cilët i përkrahin afaristët amerikanë gjatë kohës kur ata do të zbulojnë mundësitë dhe sfidat e tyre në Kosovë.

Zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Nikolaus Lambsdorff, tha se Kosova ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe tani është shumë e gatshme për investime. “Gjatë pesë viteve të fundit Kosova është shndërruar nga një shoqëri e paskonfliktit, në një mjedis ta ngjashëm me Bashkimin Evropian. Kosova, tha ai, ka mundësi të mëdha në energji dhe në sektorin e minierave, ka taksa të ulëta, popullësi të re me shpirt ndërmarrës dhe si e tillë është shumë e përshtatshme për investime”, tha zoti Lambsdorf.

Tërheqja e investimeve të huaja e veçanërisht atyre amerikane, në Kosovë vlerësohet me rëndësi vendimtare për rimëkëmbjen e ekonomisë së saj të dërrmuar e cila ka kushtëzuar një shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe një shkallë të lartë të varfërisë.

XS
SM
MD
LG