Lidhje

Maqedoni: ”Kundërshtimi nuk drejtohet ndaj procesit të decentralizimit, por ndaj mungesës së informacionit dhe transparencës së duhur” - 2004-09-27


Decentralizimi ishte një ndër kërkesat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe një proces kushtëzues për integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Referendumi i 7 nëntorit do të verë në provë mbështetjen që gëzon procesi i propozuar nga qeveria për riorganizimin territorial dhe decentralizimin. Por siç shpjegon shefi i shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës Vedran Andonovski, kundërshtimi nuk drejtohet ndaj procesit të decentralizimit, por ndaj mungesës së informacionit dhe transparencës së duhur. Në një intervistë me kolegen Ardita Simiçia, zoti Andonovski shpreh gjithashtu besimin se pavarësisht nga rezultati i referendumit, procesi i decentralizimit dhe i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit do të vazhdojë, ndërkohë që vazhdon edhe përparimi për integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike:

Zëri i Amerikës: Pas përfundimit të votës të mocionit të mosbesimit, qeveria maqedonase arriti të mbijetojë, por duke patur parasysh klimën politike në vend sa mendonin se është kjo qeveri për të vazhduar të ketë pushtetin apo vendin nën kontroll?

Vedran Andonovski: Se sa e aftë është qeveria, këtë mund ta thonë analistët më mirë, por mund t’ju them ç’është bërë kohët e fundit. Qeveria i përmbahet qëndrimit se veprimet që po ndërmerr janë masat e duhura për të ardhmen e Maqedonisë. Çështje qendrore është decentralizimi, veçanërisht çështja e riorganizimit territorial. Qeveria mendon se me miratimin e ligjit të ri për riorganizimin territorial, Maqedonia do të përparojë në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike dhe Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Disa forca politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë paralajmëruar se referemndumi mund ta shtyjë vendin drjet një krize të thellë politike. Çfarë shansesh ka referendumi që të miratohet dhe çfarë mund të pritet nëse procesi i decentralizimit të rregullohet?

Vedran Andonovski: Nuk është për t’u çuditur që çështja e decentralizimit, dhe në veçanti ajo e riorganizimit territorial ka ngjallur debatet më të ndezura në qarqet politike të Maqedonisë. Kjo çështje shihet nga kënde të ndryshme nga partitë e ndryshme politike. Bashkimi Socialist Demokraik, një ndër partneret në koalicionin qeveritar, shprehet se çdo referendum që ngre çështjen e decentralizimit dhe riorganizimit territorial do ta largojë Maqedoninë nga procesi i integrimit në strukturat europiane. Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski në një intervistë shprehu shqetësimin se një hap i tillë mund t’u përcjellë mesazhin e gabuar elementëve radikalë dhe mund të sjellë paqëndrueshmëri politike. Partia VMRO-DPMNE, forca më e madhe politike opozitare, nuk shprehet kundër riorganizimit territorial, të cilin e ka cilësuar si çështjen kryesore që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Megjithatë kjo parti thotë se duhet shmangur një proces që çon në krijimin artificialisht të enklavave me shumicë shqiptare dhe e sheh procesin aktual të decentralizimit si një parathënie të ndarjes së Maqedonisë në të ardhmen. Ndërkaq partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim u ka bërë thirrje votusve ta bojkotojnë referendumin. Zoti Ahmeti është shprehur se referendumi është një proces thjesht maqedonas dhe ka bërë thirje për miratimin me ritme të shpejta të paketës së përgjithshme të ligjeve për decentralizimin, që do t’i shërbejë më mirë të ardhmes së Maqedonisë. Partia Demokratike e Arbën Xhaferit po i bën thirrje anëtarëve të saj të votojnë kundër referendumit. Zoti Xhaferi ka ngritur idenë e hapjes së një debati për të diskutuar nëse procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit po vazhdon me sukses. Pra çdo parti po e shqyrton procesin në bazë të interesave të veta.

Zëri i Amerikës: Në një intervistë për Zërin e Amerikës me nënkryetarin e Partisë Demokatike të Shqiptarë ve në maqedoni, Iljaz Halimi, ai shprehet, jo vetëm kundër referendumit, por edhe kundër procesit të decentralizimit. Ai tha se me ristrukturimin e komunave ai tha se dëmtohet interesi i popullsisë shqiptare. Si mendoni ju lidhur me këtë çështje?

Vedran Andonovski: Nuk ka përgjigje të mirë ose një përgjigje të vetme për atë pyetje. Por do të thoja se çdo gjë varet nga mënyra se si e shohin Marrëveshjen e Ohrit struktura të ndryshme politike. Qeveria thotë se po vepron në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. VMRO-DPMNE e opozitës e akuzon qeverinë se procesi nuk ishte transparent sa duhet. Çështja këtu nuk është se kush përfiton më shumë nga riorganizimi territorial, popullsia maqedonase apo ajo shqiptare në Maqedoni. Para miratimit të këtij ligji, shumë komuna mbajtën referendume dhe shumica e tyre u shprehën kundër riorganizimit të propozuar. Pra është një çështje më e thellë që ka të bëjë me mungesën e një procesi të plotë informues, prandaj dhe Maqedonia do të zhvillojë referendumin për ta hedhur këtë çështje në votë.

Zëri i Amerikës: Si do të ndikonte rezultati i referendumit dhe procesi i decentralizimit në ambiciet e Maqedonisë për t’u integruar në strukturat euroatlantike?

Vedran Andonovski: Disa fakte që ia vlejnë të përmenden: referendumi do të konsiderohet i vlefshëm nëse 50 për qind e shtetasve me të drejtë vote marrin pjesë, dhe nëse shumica e tyre shprehet pro apo kundër çështjes. Pra, ka shumë faktorë dhe është e vështirë të parashikohet rezultati. Komuniteti ndërkombëtar është shprehur njëzëri, si Bashkimi Evropian edhe Shtetet e Bashkuara. Në një konferencë shtypi të Departamentit të Shtetit kohët e fundit u theksua se Maqedonia duhet të respektojë të drejtën e shtetasve të saj për të zhvilluar një referendum, dhe njëkohësisht duhet të përmbushë përgjegjësinë e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo nënkupton se pavarësisht nga rezultati i referendumit, do të ketë një proces diskutimi dhe ndoshta një takim të të gjitha partive për të dalë me një propozim tjetër për riorganizimin territorial nëse është e nevojshme. Megjithatë, referendumi nuk është fjala e fundit në këtë proces. Kjo çështje do të vazhdojë të debatohet në Maqedoni për shumë muaj më pas. //az//

XS
SM
MD
LG