Lidhje

Presidenti George Bush dhe Senatori John Kerry përgatiten për debatin e së enjtes - 2004-09-28


Presidenti George Bush dhe Senatori John Kerry, pritet të mos duken shumë në publik sot, pasi janë duke u përgatitur për debatin e parë të drejt për drejtë të enjten. Zoti Bush do të shkojë në fermën e tij në Crawford të Teksasit, ndërsa zoti Kerry ndodhet në shtetin Wisconsin. Debati i parë ndër tre debatet presidenciale, do të zhvillohet në Miami të Floridës dhe do të përqendrohet në politikën e jashtme.

Presidenti Bush dhe Senatori, John Kerry, e kanë kufizuar fushatën këtë javë pasi të dy po përgatiten për debatin e parë të shumëpritur. Të dy kandidatët po konsultohen me këshilltarët e tyre për t’i bërë sa më të qarta mesazhet e tyre për debatin e tyre kombëtar televiziv, që do të përqendrohet në politikën e Jashtme dhe në luftën në Irak. Në një intervistë me kanalin televiziv FOX News, zoti Bush mbrojti vizitën e tij kontradiktore në një aeroplanmbajtëse rreth një vit e gjysmë më parë, ku deklaroi të përfunduar misionin në luftën e Irakut.

Gjatë fushatës së tij në shtetin e Wisconsin-it, Senatori Kerry iu kundërvu komenteve të zotit Bush.

“Unë nuk do të jem një president, që do të thoshte ‘misioni u krye’. Unë do ta kryej misionin, ky është ndryshimi”.

Zoti Kerry akuzoi gjithashtu Presidentin Bush se e keqinformoi vendin rreth gjendjes në Irak. Analistët politikë thonë se kjo është një nga çështjet në të cilat ai do të përqendrohet gjatë debatit të parë. Nga ana e tij, zyrtarët e fushatës së Presidentit Bush thonë se Senatori Kerry po e shfrytëzon terrorin për qëllime politike në kritikat e tij kundër politikës së zotti Bush në Irak.

Analistët politikë thonë se akuzat dhe kundër akuzat e forta do të intensifikohen gjatë javëve të fundit të fushatës para mbajtjes së zgjedhjeve më 2 nëntor. Ata thonë se shumë votues i presin debatet si një rast për t’i parë kandidatët të përgjigjen drejt për drejt. George Farah është ekspert i debateve politike.

“Ky është një rast që u jepet votuesve të shikojnë kandidatët të flasin pa ndihmën e këshilltarëve të tyre dhe të zhvillojnë një dialog spontan”.

Zyrtarët e dy fushatave thonë se fitorja në debat është e rëndësishme. Kjo është një ndjenjë e pasqyruar në sondazhet e opinionit që tregojnë se 69 përqind e të ashtuquajturve votues të pavendosur, do ta hidhnin votën e tyre për njerin apo tjetrin kandidat duke u mbështetur në debatet.

//ze//

XS
SM
MD
LG