Lidhje

Kosovë: Solana, Petersen, thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje - 2004-09-28


Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian dhe administrata ndërkombëtare në Kosovë përsëritën sot thirrjen që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit, ndërkohë që fushata për këto zgjedhje ka filluar tashmë. Komisioneri i lartë evropian Havier Solana, tha sot në Prishtinë, se vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje është individual, por nënvizoi nevojën që serbët të marrin pjesë në zgjedhje sepse kjo është në interesin e tyre.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren-Jessen Petersen, tha se nuk po flitet për ofrimin e kompromiseve që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Eshtë në interes të serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në institucionet demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo është mënyra më e mirë që ata të sigurohen se për interesat e tyre ka përkujdesje. Sidoqoftë, tha zoti Peteresen, i kemi informuar serbët e Kosovës se në shqetësimet e tyre në lidhje me sigurinë, janë ndërmarrë shumë nisma nga KFOR-i dhe UNMIK-u, 6 muajt e fundit. KFOR-i do të sjellë më shumë trupa, 2 mijë trupa shtesë për stërvitje deri në zgjedhje, do të ketë masa shtesë të sigurisë. Kur bëhet fjalë për shqetësimin tjetër të serbëve të Kosovës, të garancive institucionale, sic e quajnë ata, kjo po shqyrtohet tani në kontekstin e planit për decentralizim i përgatitur këtu nga grupi punues këtu në Prishtinë.

Takim i Grupit të Kontaktit në Vienë

Sot në Vjenë u zhvillua një takim midis përfaqësuesve të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë.

Bisedimet u përqëndruan në çështjen e decentralizimit, që ka të bëjë me reformën në pushtetin vendor. Takimi u organizua nga zyra amerikane në Prishtinë.

Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Enver Hasani, shef i Zyres për bashkëpunim ndërkombëtar në Zyren e kryeministrit Bajram Rrexhepi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hasani tha se qëndrimi i Grupit të Kontaktit, ashtu si edhe në të kaluarën, ndaj planit të Kosovës për reformën e pushtetit lokal ka qënë dhe është mjaft pozitiv. Ky plan përkrahet dhe konsiderohet si një hartë, theksoi zoti Hasani, siç u quajt në takimin e sotëm, për vazhdimin e punës për reformimin e pushtetit lokal. Grupi i Kontaktit nuk caktoi ndonjë datë për takimin e ardhshëm të këtij niveli.

XS
SM
MD
LG