Lidhje

Presidenti Bush dhe senatori Kerri përgatiten për debatin e parë presidencial  - 2004-09-29


Presidenti Xhorxh Bush dhe kundërshtari i tij demokrat Xhon Kerri po i largohen për pak kohë fushatës elektorale, ndërkohë që përgatiten për debatin e parë presidencial që transmetohet drejtpërdrejt në televizionin amerikan nesër. Një nga temat që do të diskutohet me siguri në këtë debat është lufta në Irak.

Sipas disa anketave të opinionit publik presidenti Bush shkon në debatin e parë presidencial nesër me një mbështetje të ndjeshme përkundrejt kundërshtarit të tij demokrat. Gjatë një tubimi të madh në shtetin kryesor të amerikës qendrore Ohajo, presidenti Bush i shtoi sulmet ndaj zotit Kerry, duke e portretizuar përsëri senatorin si të pavendosur rreth luftës në Irak. Me një ton tallës, ai e akuzoi rivalin e tij se ka refuzuar të shprehet haptas para popullit amerikan se cili është qëndrimi i tij lidhur me këtë çështje.

“Ka qënë pak e vështirë për t’u përgatitur për debatet sepse Xhon Kerri vazhdon të ndryshojë qendrimin e tij, kryesisht ndaj luftës. Ai votoi për perdorimin e forcës por kundër financimit të trupave. Ai ka thënë se nuk po shpenzojmë aq sa duhet për rindërtimin e Irakut dhe tani ai thotë se po shpenzojmë tepër. Ai ka thënë se vendimi për të ndërhyrë në Irak ishte i drejtë dhe tani e quan një luftë të gabuar. Mendoj se zotit Kerry i duhen 90 minuta për të debatuar vetveten.”

Në Wisconsin, senatori Kerry u kundërpërgjigj për ta bërë të qartë qendrimin e tij ndaj luftës, duke thënë se ai ka një plan për arritjen e suksesit në Irak.

“Ky president dhe republikanët janë munduar që të bëjnë të duket se Xhon Kerry ka qendrime të ndryshme. Unë kam mbajtur gjatë gjithë kohës të njëjtin qendrim, që Sadam Huseini të mbajë përgjegjësi, por kjo mendoj se duhet bërë në rrugë të drejtë. Dhe që kjo të arrihet, duhet durim dhe pjekuri që të sigurohet mbështetja e aleatëve për të vepruar nëpërmjet diplomacisë në mënyrë që të dihet se Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme kur mbështeten nga e gjithë bota në një kauzë të ligjshme, dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë."

Megjithë kritikat e ashpra të zotit Kerry kundër politikës së presidentit Bush në Irak, anketat e opinionit publik tregojnë se senatori demokrat akoma e ka të vështirë të fitojë përkrahjen e votuesve të pavendosur. Rivali demokrat nuk shihet si një kandidat me propozime të qarta për të rregulluar problemet e mëdha të vendit. Ndërkohë anketat e opinionit me zgjedhës të vendosur tregojnë se ata e shohin presidentin Bush si një udhëheqës të fuqishëm me një vizion të qartë. Këshilltarët e fushatës së zotit Kerri thonë se një paraqitje e qartë dhe e fortë e kandidatit demokrat në 3 debatet e ardhshme është kyçe dhe mund të jetë shansi i tij më i mirë që të ndryshojë balancën në këtë fushatë.

//ze//

XS
SM
MD
LG