Lidhje

Amb. Liponen i shqetësuar për reformën zgjedhore  - 2004-09-30


Ambasadori i pranisë së Osbe-së në Tiranë Osmo Lipponen u shpreh i shqetësuar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe vecanërisht për ecurinë e reformës zgjedhore gjatë një raporti të mbajtur sot në Vjenë përpara Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate. Ambasadori Lipponen paralajmëroi se aspiratat e Shqipërisë për integrimin e saj euroatlantik do të pësojnë një vonesë të madhe nëse sërish mungon vullneti politik për të zhvilluar zgjedhjet e ardhshme sipas standarteve ndërkombëtare

Raporti i mbajtur nga ambasadori i pranisë së Osbe-së në Tiranë ngre sërish shqetësimet e reja dhe të vjetra lidhur me zhvillimet dhe situtën politike në Shqipëri: reformën zgjedhore, konfliktualitetin e vazhdueshëm politik dhe pikëpyetjet për integrimin e afërt të vendit në strukturat euroatlantike.

Duke qenë se Shqipëria është tashmë në prag të zgjedhjeve të ardhshme dhe thuajse e gjithë vemendja është përqëndruar ne bllokimin e reformës zgjedhore, kjo cështje ka zënë një pjesë të rëndësishme në raport dhe vecanërisht në përfundimet e tij.

“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test kryesor për vendin dhe zhvillimin e institucioneve demokratike”, ka deklaruar ambasadori Lipponen duke kujtuar se “pavarësisht nga përmirësimet e shumta të kuadrit elektoral që u kryen vitin e shkuar mungesa e vullnetit të qëndrueshëm politik - ka thënë ai - ka sjellë rezultate zhgenjyese duke patur parasysh se standartet ndërkombëtare për zgjedhjet nuk u përmbushën plotësisht”.

Pikërisht për këtë, ambasadori i Osbe-së shprehet se “kjo ka ngritur edhe një herë rrezikun për zgjedhjet e ardhhme dhe ka intensifikuar trysninë si të brendshme dhe ndërkombëtare mbi ludhëheqësit shqiptarë për të mbajtur zgjedhjet e ardhshme në përputhje me standartet”.

Dhe paralajmërimi i tij, i paraprirë edhe nga deklarata e fundit e BE është mëse i qartë: “aspiratat e Shqipërisë për integrimin në strukturat euroatlantike do të pësojnë një vonesë të madhe nëse përsëri do të mungojë vullneti politik”.

Sipas ambasadorit Lipponen në ndryshim nga vendet e tjera, Shqipëria, ndërsa ka bërë përparime të dukshme në fusha të tjera, nuk ka mundur ta kapërcejë problemin e zgjedhjeve i cili mbetet burim tensioni politik.

Ambasadori i Osbe-së ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar ta ndjekë nga afër dhe të asistojë Shqipërinë në realizimin e zgjedhjeve demokratike duke përsëritur se ato do të jenë një test edhe për qëndrueshmërinë e institucioneve dhe pjekurinë e klasës politike. Sipas tij “udhëheqësit politik shqiptarë duhet të tregojnë vullnet të vazhdueshëm që të mundësohet plotësimi i standarteve ndërkombëtare për zgjedhjet”.

Edhe situata politik vizatohet me të njejtat tonalitete të përdorura edhe më parë. “Sistemi politik vazhdon të karakterizohet nga polarizimi” ka theksuar ambasadori Liponen ndërkohë që shpjegon se edhe parlamenti është përdorur më shumë për konfliktet politike se sa për trajtimin e sfidave të vërteta me të cilat përballet Shqipëria si cështjet ekonomike, sociale që sipas tij janë lënë pas dore.

Më pas Ambasadori i Osbe-së ka deklaruar se duhen trajtuar edhe cështjet

e transparencës së qeverisë, rolit të nëpunësve civil dhe ato të korrupsionit. Ai ka rishprehur nevojën e garantimit të pavarësisë së plotë të sistemit gjyqësor

XS
SM
MD
LG