Lidhje

Presidenti Bush dhe rivali i tij Kerry i rikthehen fushatës pas debatit - 2004-10-01


Presidenti Bush dhe rivali i tij demokrat, John Kerry, iu rikthyen fushatës presidenciale, pas debatit të së enjtes.

Në hapje të një takimi në Pensilvani, një nga shtetet që mund të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, Presidenti Bush la mënjanë fjalimet e tij standard të fushatës, duke i zëvendësuar me një analizë pas debatit.

Zoti Bush vazhdoi të sulmonte kundërshtarin e tij si të pavendosur, duke u thënë përkrahësve republikanë se Senatori Kerry vazhdon të ndryshojë qëndrim.

“Senatori Kerry nuk bëri tjetër veçse vazhdoi vargun e kontradiktave çorientuese. Pasi votoi në favor të luftës, pasi tha se vendimi im për të hequr Saddam Husseinin ishte i drejtë, tani thotë se gjithçka ishte një gabim. Por kur iu bë pyetja e arsyeshme ‘nëse kjo do të thoshte se trupat tona po vriteshin në emër të një gabimi?’, ai u përgjigj ‘Jo’. Nuk mund të jesh nga të dyja anët. Nuk mund të thuash edhe ishte gabim, edhe nuk ishte”.

Duke bërë fushatë në një universitet të shtetit Florida, Senatori Kerry u tha simpatizantëve demokratë se Presidenti Bush u nxitua për luftën në Irak, pa një koalicion të gjerë sa të mund të ndante koston e luftës.

“Ky president i largoi aleatët në Kombet e Bashkuara. Ata ofruan ndihmën e tyre, por ai nuk e donte një gjë të tillë. Ai nuk donte as t’i lejonte ata të bashkëpunonin për rindërtimin, sepse donte t’ia jepte kontratat Halliburtonit dhe miqve të tij të tjerë. Unë kam hartuar një plan dhe do të mbaj një takim të nivelit të lartë, ku do të marr pjesë dhe do ta drejtoj. Ne do të shkojmë në atë rajon dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i ulur njerëzit në një tryezë për t’i ndarë përgjegjësitë”, tha senatori.

Presidenti Bush e hedh poshtë planin e senatorit për një takim të nivelit të lartë për të zgjeruar koalicionin në Irak, duke thënë se është shumë larg asaj që duhet për të fituar luftën.

“Në themel të planit të senatorit Kerry për Irakun është thirrja e një takimi të nivelit të lartë. Unë kam marrë pjesë në shumë takime të nivelit të lartë. Nuk di ndonjë takim që të mund të rrëzojë një tiran, ose të sjellë ndonjë terrorist para drejtësisë”.

Senatori Kerry thotë se do të bëjë një luftë më të zgjuar dhe efektive kundër terrorizmit dhe kritikoi presidentin Bush, që shtron pikëpyetje për mënyrën sesi di t’i përballojë vendi shpenzimet e larta për sigurinë kombëtare. “Ai thotë: ‘Nuk e di sesi ke ndër mend të paguash për gjithë këto gjëra. Do të krijohet një hendek taksash’. Miqtë e mi, ky është presidenti që krijoi një hendek taksash duke shkurtuar taksat për amerikanët më të pasur, në vend që të investonte në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Gjatë debatit, Senatori Kerry tha se lufta parandaluese duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të kalojë atë që ai e quajti “provë globale”, ku presidenti mund ta vërtetojë para botës se një gjë e tillë u bë për arsye të përligjura.

Presidenti Bush thotë se një gjë e tillë do të thoshte që t’u jepej vendeve si Franca vetoja për të vendosur nëse trupat amerikane duhet ta mbronin Amerikën.

“Senator Kerry tha se Amerika duhet të kalojë një si farë prove globale para se ne të mund të përdorim trupat amerikane për t’u vetëmbrojtur. Ai do që vendimet për sigurinë tonë kombëtare t’i nënshtrohen miratimit të një qeverie të huaj. Unë do të vazhdoj të punoj me aleatët tanë dhe komunitetin ndërkombëtar, por unë kurrë nuk do ta bëj sigurinë kombëtare një objekt të një prove ndërkombëtare”.

Zoti Bush thotë se presidenti nuk ka për detyrë t’i nënshtrohet një sondazhi të opinionit publik ndërkombëtar, por të mbrojë Amerikën.

Përsa u takon anketave të opinionit publik këtu në Shtetet e Bashkuara, para se të fillonte debati Presidenti Bush kryesonte ndaj senatorit Kerry, ndërkohë që ka mbetur vetëm një muaj deri në ditën e votimeve. Është ende shumë herët të thuhet nëse debati i ka ndryshuar këto raporte, por të dy kandidatët po thonë se kanë dalë fitimtarë në debatin e parë.

XS
SM
MD
LG