Lidhje

Serbët e Kosovës në pritje të mbështetjes nga Beogradi për pjesmarrjen në zgjedhje - 2004-10-02


Një përfaqësues i pakicës serbe në Kosovë, konfirmoi të shtunën se ende nuk është marrë ndonjë vendim për pjesëmarrjen ose jo të pakicës serbe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit, megjithëse tani kanë mbetur vetëm 20 ditë nga dita e zgjedhjeve. Përfaqësuesi serb Oliver Ivanoviç, i tha Zërit të Amerikës, se serbët e Kosovës presin një rekomandim dhe mbështetje të fortë për këtë nga Beogradi.

"Mendoj se kjo mbështetje mund të vijë të hënën ose të martën, që do të thotë se ne do të kemi vendimin tonë përfundimtar të paktën të mërkurën," tha zoti Ivanoviç.

Ai pohoi se mbështetja e Beogradit për një vendim të tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta.

"Është tepër e rëndësishme. Ne e dimë se nuk bëhet fjalë thjesht për zgjedhje, janë më shumë se zgjedhje. E dimë se në 2005, dikush ose njerëzit e zgjedhur duhet të ulen në tryezë dhe të fillojnë të bisedojnë për statusin përfundimtar. Për një bisedim të tillë të vështirë, ne na duhet e gjithë mbështetja e mundshme nga popullsia, dhe përveç kësaj, mbështetja nga qeveria serbe. Është një çështje e përparësisë së lartë për të gjithë serbët në botë," tha zoti Ivanoviç.

Përfaqësuesi serb Oliver Ivanovic, pohon gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit.

"Sipas meje, është shumë, e rëndësishme. Besoj se është e vetmja mënyrë për të pasur anëtarë të zgjedhur në vend të emërimit të tyre. Na duhet dikush që respektohet nga popullsia dhe ky respekt do të tregohet nëse dikush do të votojë për udhëheqësit serbë. Përndryshe, do të kemi udhëheqës të vetë-emëruar, pa ndonjë pushtet praktik apo ndikim tek njerëzit. Biseda për statusin përfundimtar është shumë e vështirë dhe shpresoj se do të mbarojë ashtu siç do të donin ta kishin serbët," tha zoti Ivanoviç.

XS
SM
MD
LG