Lidhje

Roli i nën-president në politikën e Shteteve të Bashkuara  - 2004-10-03


Debati mes kandidatëve për nën-president zhvillohet të martën mbrëma. Kjo është një mundësi për nën-presidentin Dick Cheney dhe senatorin John Edwards që të shprehin pikpamjet e tyre lidhur me çështje të ndryshme dhe që të bindin votuesit të hedhin votën për kandidatin e tyre. Roli i nën-presidentit ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve, nga kryesisht ceremonial në atë të një këshilltari të ngushtë të presidentit.

Në bazë të kushtetutës, nën-presidenti amerikan ka vetëm 2 detyra: të hedhë votën përcaktuese në senatin amerikan në se rezultati i një votimi është 50 me 50 dhe të bëhet president në se presidenti vdes ose shkarkohet nga detyra. Dhe gjatë pjesës më të madhe të historisë, nën-presidentët kanë bërë pikërisht këtë.

Në fillim të viteve 1900, presidentët nisën të ftonin nën-presidentët në takimet e kabinetit, madje edhe të zëvëndësonin vetë presidentët kur këta të fundit nuk mund të mernin pjesë në takime.

Me kalimin e viteve, nën-presidentët filluan të kryenin më shumë detyra, takime me kryetarë shtetesh dhe pjesëmarrje në funerale shtetrore. Gjatë viteve të fundit, nën-presidentët kanë qënë këshilltarë të afërt të presidentëve. Analisti politik, Stephen Hess pranë Institutit Brookings këtu në Washington thotë se me kalimin e kohës nën-presidentët e kanë shtuar ndikimin e tyre.

“Kohët e fundit, nën-president pas nën-presidenti ne kemi thënë shpesh se ndikimi i tyre është shtuar shumë dhe për këtë kemi pasur gjithnjë të drejtë. Këtë thamë për Al Gorin kur ai ishte nën-president me zotin Clinton. Tani ne themi të njëjtën gjë për Dick Chenin, të cilit presidenti Bush i ka kaluar përgjegjësi të konsiderueshme.”

Kandidatët presidencialë i zgjedhin kandidatët për nën-president duke u bazuar në shumë faktorë, përfshirë zonën nga ata vijnë, pikpamjet e njëjta mbi çështje të ndryshme si dhe paraqitjen e tyre tërheqëse për votuesit.

Por Larro Sabato, themelues dhe drejtor i Qendërs së Politikave pranë Universitetit të Virxhinias, thotë se në përgjithësi nën-presidentët nuk kanë shumë ndikim tek votuesit.

“Kur njerzit shkojnë në qendrat e votimit, ata votojnë për presidentin. Kandidatët për nën-presidenti mund të jenë të rëndësishëm për të qeverisur, por ata nuk janë shumë të rëndësishëm për votuesit në ditën e zgjedhjeve.”

Gjatë fushatave, kandidatët për nën-president janë mbështetës të fuqishëm të kandidatëve për president dhe u bëjnë thirrje votusve që të votojnë për kandidatin presidencial të partisë së tyre. Ata mund të luajnë gjithashtu rolin e kritikut të ashpër politik, duke sulmuar kandidatin presidencial të partisë tjetër, ndërkohë që kandidati i partisë së tyre paraqetet si president me personalitet.

//ze//

XS
SM
MD
LG