Lidhje

SHBA: Sistemi politik dy partiak - 2004-10-03


Gati i vetëm në botë, sistemi dypartiak amerikan ka funksionuar që nga koha e George Washingtonit, kur federalistët dhe republikanët ishin grupet e para politike në vend. Të dy këto parti kryesore kanë ndryshuar me kalimin e kohës, por shumë rrallë ka ndodhur që një parti e tretë të dalë në krye. Bruce Larson, profesor i shkencave politike në Universitetin Fairleigh-Dickinson në Madison të New Jerseyt, thotë se systemi i dypartiak ka ardhur si rezultat i sistemit amerikan të votimit.

“Ndryshe nga shumë demokraci në botë, në Shtetet e Bashkuara ne kemi një sistem sipas të cilit fituesi i merr të gjitha”.

Në teori kjo do të thotë që një kandidat që synon një post politik, mund të fitojë zgjedhjet edhe me një votë më tepër.

Në vende me një sistem parlamentar, numri i votave që një parti merr, përcakton shkallën me të cilën partia përfaqësohet në parlament. Profesor Larson thotë se ky sistem inkurajon partitë e vogla të regjistrojnë kandidatë, sepse kanë një shans të mirë për të fituar të paktën disa vende në parlament, megjithatë sistemi “fituesi i merr të gjitha” inkurajon kompromisin. Në vend që të nxjerrin kandidatin e vet, shumë parti të vogla përkrahin kandiatin republikan apo demokrat që qendron më afër pikëpamjeve të tyre.

James Reichley, autor i librit “Jeta e Partive”, thotë se një sistem shumëpartiak nuk është i përshtatshëm për një vend me larmi të madhe kulturash e etnish, si Shtetet e Bashkuara, dhe shpesh nuk funsionon as në vende të vogla e homogjene.

“Italianët kanë ndeshur në shumë vështirësi që pas Luftës së Dytë Botërore për krijim koalicionesh; nganjëherë edhe francezët. Kjo krijon një gjendje të paqendrueshme. Dhe këto janë relativisht vende të vogla. Mendoj se në një vend, si Shtetet e Bashkuara, sistemi dypartiak është i përshtatshëm. Por ka njerëz që nuk mendojnë kështu”.

James Reichley thotë se partitë kryesore po përpiqen të tërheqin vëmendjen e votuesve të zakonshëm, kështu që platformat nuk ndryshojnë rrënjësisht. Por partitë dallohen mjaft nga mënyra se si i motivojnë përkrahësit e tyre më të afërt.

“Megjithatë kritikët argumentojnë se në përpjekje për të tërhequr votuesit, republikanët dhe demokratët përqafojnë çështjet e tyre më të përkrahura nga publiku, kështu që ndryshimet ndërmjet tyre nuk duken aq sa ato ndërmjet partive politike në demokracitë e tjera”.

Por ajo që ngjall më shumë kritika, është pushteti që kanë dy partitë kryesore. Studiuesi i shkencave politike, Bruce Larson, thotë se ata e kanë përdorur pushtetin e tyre për të parandaluar palët e tjera që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Që të zgjidhesh, duhet të zgjidhesh sipas ligjit dhe ligji thotë se kjo vendoset në sejcilin shtet më vete. Sistemi i votimit në shtete bën që partitë e vogla të jenë të përjashtuara. Këto ligje e bëjnë të vështirë për partitë e vogla, pasi dy partitë kryesore kanë miratuar ligje në shumicën e shteteve, të cilët u japin atyre pushtet të drejtpërdrejtë mbi votën e popullit. Kështu që kandidatët demokratë dhe ata republikanë fitojnë shumicën e votave në çdo shtet”.

Për të kandiduar, një pjesëtar i një partie të madhe ka nevojë vetëm për një firmë, thotë profesor Larson, ndërkohë që kandidati i një partie të vogël duhet të mbledhë 1 mijë vota. Në zgjedhjet presidenciale, për shembull, të dy partitë marrin automatikisht fonde nga qeveria për fushatat e tyre, një privilegj që nuk fitohet lehtë nga parti më të vogla, thekson Jamin Raskin, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Amerikan në Washington.

“Partitë më të vogla kanë të drejtë të marrin fonde të tilla vetëm nëse fitojnë pesë për qind të votës në zgjedhje. Pra, ata nuk marrin asgjë para zgjedhjeve, por pas shpalljes së rezultatit. Po qe se nuk marrin pesë për qind, ata nuk marrin asgjë”.

Profesor Raskin thotë se partitë e vogla rrallë mund t’i përballojnë shpenzimet e fushatës, por shton se edhe po qe se ato nuk i hyjnë fushatës, përsëri partitë e vogla ushtrojnë ndikim në politikën amerikane.

“Partive të vogla, jo vetëm që u dedikohet heqja e skllavërisë, por edhe taksat progresive mbi të ardhurat, e drejta e grave për të votuar, ligjet për punën e fëmijëve, e drejta për t’u organizuar në sindikata e kështu me radhë. Kështu që Partitë e vogla kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm edhe pse nuk kanë fituar në zgjedhje”.

Po si është e mundur? Kjo shpjegohet se partitë e mëdha, shpesh kanë përqafuar çështje të ngritura nga partitë e vogla, të cilat u interesonin zgjedhësve.

Shumica e analistëve thonë se përkundër të metave, sistemi dypartiak në Shtetet e Bashkuara i ka shërbyer relativisht mirë vendit gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij. Për më tepër, është një sistem që nuk ka të ngjarë të ndryshojë për një të ardhme të parashikueshme.

//ze//

XS
SM
MD
LG