Lidhje

Kryeministri Sharon thotë se Izraeli do ta zgjerojë operacionin në Gaza  - 2004-10-03


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, thotë se Izraeli do ta zgjerojë operacionin tashmë masiv në Rripin e Gazës që ndërmori në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse palestineze me raketa kundër qyteteve kufitare në Izraelin jugor.

Kryeministri Sharon e bëri këtë koment sot, gjatë një interviste me Radio Izraelin, ndërkohë që rreth 2 mijë trupa izraelite dhe dhjetra tanke hynë më në thellësi të kampit të refugjatëve Xhebalia në Gazë.

Më shumë se 50 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit, një prej operacioneve izraelite më vdekjeprurëse në territoret palestineze në 4 vjetët e fundit. Megjithë operacionin izraelit, ekstremistët kryen sot një sulm tjetër me raketë në Izrael. Pak më vonë, dëshmitarët thanë se nga një sulm izraelit ajror u vranë 2 palestinezë, për të cilët u tha se kishin lidhje me sulmin.

Ndërkohë, Lidhja Arabe prej 22 vendesh anëtare njoftoi se do t’i kërkojë urgjentisht Kombeve të Bashkuara që t’i bëjnë presion Izraelit që të ndalojë ofensivën. Diplomatët arabë do të kërkojnë gjithashtu ndihma emergjente për Gazën.

//ze//

XS
SM
MD
LG