Lidhje

Çfarë qëndrimi do të mbajnë ndaj Rusisë presidenti Bush në se rizgjidhet, apo senatori Kerry në se vjen në pushtet - 2004-10-03


Presidenti rus Vladimir Putin është kritikuar për ndryshimet e mëdha politike të kohëve të fundit, sipas të cilave, guvernatorët nuk do të zgjidhen më me votim, por do të emërohen, dhe do të kufizohet vënia e kandidaturave nga ligjvenës të pavarur. Zoti Putin thotë se ndryshimet synojnë të krijojnë një qeveri të fortë federale, e nevojshme për të përmirësuar sigurinë pas një sërë sulmesh terroriste. Qëndrimi i tij ka ngjallur debate se çfarë qëndrimi do të mbajnë ndaj Rusisë, presidenti Bush në se rizgjidhet, apo senatori Kerry në se vjen në pushtet.

Presidenti rus Vladimir Putin qëndroi përkrah Presidentit George Bush në luftën kundër terrorizmit, duke premtuar mbështetje të plotë. Ai pret të njejtën mbështetje në luftën e tij ndaj separatistëve çeçenë që ai i konsideron terroristë. Pas një sërë sulmesh terroriste, nga të cilat mbi 500 rusë gjeten vdekjen në një periudhë dy javore, Presidenti Putin shpalli ndryshime të mëdha në qeveri.

“Lufta kundër terrorizmit kërkon ndryshimin rrënjësor të politikave tona në rajon. Një nga problemet krysore është dobësimi i pushtetit ekzekutiv.”

Presidenti Bush shprehu ngushëllime për ata që u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në një shkollë në qytetin e Beslanit, por kritikoi planin e presidentit Putin për të përqëndruar pushtetin në Kremlin.

“Jam i shqetësuar nga vendimet që po merren në Rusi të cilat mund të dëmtojnë demokracinë në këtë vend. Vendet e mëdha, demokracitë e mëdha ruajnë balancën e pushtetit midis qeverive qendrore dhe lokale.”

Kjo ishte një kritikë e pazakontë nga Presidenti Bush, i cili dukej se kishte krijuar raporte të mira personale me zotin Putin. Rivali demokrat, Xhon Kerri tha se kjo miqësi ia ka errësuar Presidentit Bush gjykimin për Rusinë. Ai thotë se presidenti Bush nuk u kushtoi rëndësi interesave të Amerikës për një demokraci të fortë në Rusi dhe zoti Kerry premtoi se në se zgjidhet president, demokracia në Rusi dhe liritë civile, do të jenë përparësi e administratës së tij.

Vance Serchuk, analist për mbrojtjen në Institutin Amerikan Enterprise këtu në Uashington thotë se është normale për politikën amerikane që rivali për president të kritikojë politikat e adminsitratës për Rusinë.

“Kushdo që është në opozitë në Amerikë, ka një inters të qartë për të tërhequr vëmendjen për gjerat që nuk shkojnë mirë në Rusi dhe të argumentojë, siç po bën zoti Kerri sot, apo siç bëri presidenti Bush para 4 vjetësh, se për shkak të marrëdhënieve personale midis udhëheqësit rus dhe presidentit amerikan, ne e kemi larguar vëmendjen nga problemet kryesore në Rusi, qoftë ai kaosi ekonomik para 4 vjetësh, ose autoritarizmi që po dëgjojmë sot.”

Por zoti Serçuk thotë se problemi është përtej politikave ekonomike.

“Në Rusi vihen re sot prirje shqetësuese, ashtu siç u vunë re edhe para 4 vjetësh. Por çështja kryesore është që ç’mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kush është në pushtet, republikanët apo demokratët”.

Nikolai Zlobin, studiues në Qendrën për Informacione Mbrojtëse, një organizatë tjetër studimore në Uashington, thotë se marrëdhëniet e ngushta mes Presidentit Bush dhe Presidentit Putin i kanë penguar përpjekjet amerikane për të kontrolluar, ato që ai i quan, pritje ekspansioniste ruse në Azinë qendrore dhe Kaukaze.

“Presidenti Bush e mbështet Rusinë. Ai është ndoshta presidenti amerikan më pro-rus në historinë e shkullit të 20-të. Për zotin Kerry më e rëndësishmja do të jenë vlerat demokratike dhe jo se sa ndihmë po jep Rusia për të luftuar Al Kaidën.”

Zeyno Baran, drejtore e Programit për Energjinë dhe Sigurinë Kombëtare në Qendrën Nikson, një institut i pavarur në Uashington, thotë se administrata e zotit Kerry nuk do të këmbëngulë për këto vlera deri në atë pikë sa të rrezikonte marrëdhëniet me Rusinë.

“Do të ishte naive të mendohej se adminsitrata e zotit Kerry do të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, ose rajonit të Kaukazit apo vendeve të tjera përsa i përket demokracisë. Uashingtonit i duhet bashkëpunimi i Rusisë për Irakun, Iranin, Afganistanin dhe për shumë gjera të tjera.”

Zonja Baran thotë se dallimi kryesor mes kandidatëve nuk ka të bëjë me problemet thelbësore.

“Dallimi kryesor është çështje stili. Ne e dimë se si e zhvillon diplomacinë publike presidenti Bush, që nuk ka qënë shumë e mirë, dhe në se zoti Kerry vjen në pushtet, ai do të jetë më i kujdesshëm në komunikimin me botën, me Rusinë ose vendet e tjera.”

Zonja Baran thotë se këto janë sfida të mëdha me të cilat ndeshet administrata amerikane për Rusinë. Mes tyre është edhe ndihma e Rusisë për Iranin, për programin bërthamor të këtij vendi. Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë shprehur shqetësim se Irani do ta përdorë teknologjinë për prodhim armësh.

//ze//

XS
SM
MD
LG