Lidhje

Karla del Ponte paralajmëron udhëheqësit e Serbisë të dorëzojnë deri në fund të nëntorit personat e akuzuar për krime lufte - 2004-10-04


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte paralajmëroi udhëheqësit e Serbisë të dorëzojnë personat e akuzuar për krime lufte deri në fund të nëntorit.

Zonja del Ponte u tha sot Presidentit Boris Tadiç, Kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe Minsitrit të Jashtëm Vuk Drashkoviç se kanë dy muaj afat para se ajo t’i raportojë Këshillit të Sigurimit mbi vullnetin e Serbisë për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës.

Ndërkohë, rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve në tre vende që përbënin ish-Jugosllavinë tregojnë se nacionalistët ruajtën pozitat e tyre mbizotëruese në Bosnjë, por se forcat e moderuara shënuan disa përparime në Serbi.

Në Slloveni, qeveria liberale humbi pas fitores së partisë së qendrës së djathtë. Pas një kontrolli thuajse të vazhdueshëm për 12 vjet, kryeministri slloven Anton Rop pohoi se Partia e tij Liberal Demokrate pësoi humbje të rënda kundrejt partive të qendrës së djathtë në zgjedhjet e para të përgjithshme në vend që pas antarësimit në Bashkimin Evropian në maj.

Në Serbi, rezultatet e para tregojnë se aleatët e ish presidentit Sllobodan Millosheviç kanë shënuar fitore në një numër rajonesh të rëndësishme, përfshirë edhe postin e kryetarit të bashkisë në Novi Sad, kryeqytet i provincës veriore të Vojvodinës. Megjithatë, në Beograd zgjedhjet i fitoi një kandidat reformator pro-perëndimor.

Partia Radikale ka shënuar një numër fitoresh në vitet e fundit, veçanërisht në Vojvodinë. Si partia më e madhe në parlamentin serb, ajo përbën një kërcënim serioz ndaj qeverisë me pikëpamje centriste.

Në Bosnje-Hercegovinë, rezultatet e para tregojnë se tre partitë kryesore nacionaliste kryesojnë në zgjedhjet e së shtunës, të parat votime vendore të financuara dhe të organizuara nga brenda, që pas luftës së viteve 1992-1995.

Megjithatë, Bashkimi i Pavarur i Social Demokratëve me pikëpamje të moderuara duket se ka forcuar pozitat e tij në një numër qytetesh kundër Partisë Demokratike Serbe, e cila u themelua nga Radovan Karaxhiqi, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Por më shumë se gjysma e zgjedhësve në Bosnjë nuk morën pjesë në votime, si rrjedhojë e zhgënjimit nga zyrtarët qeveritarë, të cilët deri tani nuk kanë përmbushur premtimet e tyre për të përmirësuar standartet e jetesës dhe për të krijuar vende të reja pune në këtë vend të varfër dhe të ndarë në vija etnike.

//ze//

XS
SM
MD
LG