Lidhje

Shqipëria nuk plotëson standardet minimale ndërkombëtare të sigurisë në portet detare - 2004-10-05


Shqipëria është një nga 17 vendet që nuk i plotëson standardet minimale ndërkombëtare të sigurisë në portet detare në gjithë botën. Një fakt i tillë, ka bërë që Roja Bregdetare Amerikane që ka hartuar listën, të besojë se në këto porte nuk janë marrë masat e duhura antiterroriste.

Pasojat, nëse nuk përmirësohet gjendja, mund të përfshijnë që nga ndërprerja e ndihmave nga institucionet ndërkombëtare financiare, deri tek edhe tregtia me Shtetet e Bashkuara.

Në bazë të një ligji amerikan të miratuar në vitin 2002 dhe të një Kodi të Organizatës Detare Ndërkombëtare të vitit 2004, Shqipëria nuk e plotëson nivelin minimal të sigurisë.

Nga ana e Shteteve të Bashkuara, Roja Bregdetare duhet të vlerësojë sesa efektive janë masat kundër terrorizmit në vendet që zhvillojnë tregëti me to, në mënyrë që të mos hyjnë anije dhe kontenierë të pakontrolluar në 361 portet detare amerikane.

Komandanti Joseph Lo Sciuto, zyrtar i Programit për Sigurinë Ndërkombëtare të Porteve në Rojën Bregdetare amerikane thotë se nga kontaktet me qeverinë shqiptare deri më 9 shtator kur Shtetet e Bashkuara hartuan listën, Shqipëria nuk kishte arritur t’i zbatonte plotësisht masat e parashikuara nga Kodi Ndërkombëtar për Sigurinë e Anijeve dhe Porteve, si për shembull procesin e dokumentacionit.

“Nuk mund të themi që nuk ka masa sigurie, por për momentin ato nuk i plotësojnë standardet minimale ndërkombëtare. Megjithatë qeveria po punon intensivisht që t’i plotësojë ato dhe njëkohësisht po punon për të dokumentuar dhe miratuar vlerësime dhe plane për sigurinë në objektet portuale”, thotë komandanti Lo Sciuto.

Ai thotë se autoritetet shqiptare parashikojnë që këto masa të merren deri në dimër. Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me organizata si Bashkimin Evropian dhe me institucione financiare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që të sigurojnë grante apo hua që vende si Shqipëria të plotësojnë masat e sigurisë minimale në porte.

“Synimi i ndihmës nga bankat është rritja e nivelit të sigurisë, të ndihmohet sistemi i transportit detar, që është shtylla kurrizore e ekonomisë botërore dhe kështu një drejtim që kanë studiuar institucionet financiare është një mënyrë për të standardizuar, apo identifikuar se cilat janë nevojat konkrete, në mënyrë që vendet të mos i përdorin paratë ndryshe nga ç’përcaktohet në studimet për zbatimin e kodit”, thotë zyrtari i Rojes Bregdetare.

Ai shton se kjo i ndihmon organizatat financiare të thonë që do të donin që paratë të përdoreshin për këtë arsye specifike.

“Dhe nëse ato përdoren për gjë tjetër, atëherë rrezikohet ndihma e ardhshme nga ana e këtyre institucioneve, gjë që nuk është në interesin e askujt”.

Komandant Lo Sciuto thotë se sanksioni i fundit nëse nuk do të bëheshin përpjekje për të zbatuar kodin, do të ishte ndërprerja e marrëdhënieve tregëtare me atë vend, por ai nuk parashikon të ndodhë një gjë e tillë me Shqipërinë.

“Aktualisht ajo që do të ndodhte do të ishte që një anije që ka qenë në një port shqiptar, kur të arrinte në Shtetet e Bashkuara do të përballej me masa të intensifikuara të sigurisë, ose para se të hynte në një port amerikan do të kontrollohej çdo gjë brenda anijes me hollësi”.

Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, Shqipëria, apo edhe Serbia dhe Mali i Zi që përfshihen në listë, nuk përbëjnë problemin kryesor. Nga Shqipëria për shembull vijnë vetëm 5 ose 6 anije gjatë gjithë vitit. Por vendeve si Nigeria, një nga eksportuesit kryesorë të naftës mund t’u preken interesat tregëtare, pasi me kalimin e kohës nëse nuk plotësohen kushtet minimale, Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë sigurinë në kufi dhe nuk do të lejojnë anijet t’u afrohen brigjeve, derisa të kontrollohen.

Interesi i Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e porteve të veta përputhet në këtë rast me atë të vendeve të tjera, duke i ndihmuar ato që të rrisin nivelin minimal të sigurisë.

XS
SM
MD
LG