Lidhje

Presidenti i Serbisë u bën thirrje serbëve të dalin në zgjedhjet parlamentare të Kosovës - 2004-10-05


Presidenti i Serbisë Boris Tadiç u bëri thirrje të martën serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit. Në një fjalim drejtuar qytetarëve të Serbisë, ai nënvizoi, që nëse brenda tre muajsh në Kosovë nuk vendosen, siç është shprehur ai, pushtetet vendore serbe të njohura ndërkombëtarisht, do të kërkojë nga deputetët serbë që të braktisin parlametin dhe të heqin dorë nga mandatet e tyre.

Në një fjalim televiziv, ai theksoi se në biseda me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ka kërkuar garanci për vendosjen e pushtetit vendor serb në zonat e banuara me pjestarë të këtij komuniteti.

Kjo, sipas tij, nënkupton në radhë të parë që policia, pushteti gjyqësor, shëndetësia dhe arsimi të jenë në duart e serbëve, në një afat prej tre muajsh, kërkesa këto të cilat ishin përmbledhur edhe në planin e qeverisë së Serbisë për decentralizimin e pushtetit në Kosovë.

Por, ka theksuar ai, rruga për t’u përmbushur këto kushte është që serbët të jenë pjesë e procesit demokratik dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Ai u ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë dhe kryetarit të saj që të respektojnë ligjin dhe të gjithë personave te zhvendosur tu mundësojnë realizimin e të drejtës së votës si e drejtë themelore njerzore.

Ai shprehu keqardhjen e tij që Qeveria e Serbisë nuk është këshilluar lidhur me qëndrimin e saj ndaj zgjedhjeve. Më herët gjatë ditës kryeministri serb Vojislav Koshtunica tha se nuk do të inkurajojë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë sepse për këtë, sipas tij, nuk ekzistojnë kushtet themelore. Një qëndrim të tillë e ka mbajtur edhe kisha orthodokse serbe si dhe Partia Radikale e Serbisë, ndërsa në favor të daljes së serbëve në zgjedhje edhe më herët është shprehur ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Drashkoviç.

Thirrjet e presidentit të Serbisë që u transmetuan vonë në mbrëmje, ende nuk janë komentuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendëse në Kosovë dhe as nga përfaqësuesit politik serb të cilët janë dukur të hutuar nga qëndrimet kundërthënëse të zyrtarëve të Beogradit.

Misioni i Kombeve të Bashkuara ka pohuar se do të shqyrtojë të gjtha rrugët ligjore për të tejkaluar vështirësitë teknike që mund të shkaktojë një vendim i vonshëm i serbëve për të dalë në zgjedhje. Komuniteti serb ka 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa edhe po kaq vende mund të përfitojë nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje. Pas zgjedhjeve të kaluara ata siguruan 22 deputetë duke u bërë kështu forca e tretë në Parlamentin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG