Lidhje

Debati mes kandidatëve për nënpresident, Dick Cheney dhe John Edwards - 2004-10-06


Debati i vetëm mes kandidatëve për nënpresident para zgjedhjeve të muajit të ardhshëm u zhvillua dje në shtetin Ohajo të pjesës qendrore të Shteteve të Bashkuara. Debati mes nënpresidentit Dick Cheney dhe rivalit të tij demokrat John Edwards kishte të bënte sa me personalitetin e kandidatëve, ashtu edhe me çështjet.

Debati vuri kandidatin demokrat, John Edwards një avokat me përvojë në sallat e gjyqit përballë nënpresidentit Dick Cheney, një figurë shtetërore me përvojë.

Debati filloi me disa pyetje për politikën e jashtme. Nënpresidenti Cheney mbrojti vendimin për fillimin e luftës në Irak.

“Përpjekja që ne ndërmorëm në Irak u përqendrua në mundësinë që ishte lidhja më e mundshme mes terroristëve dhe armëve të shkatërrimit në masë. Kërcënimi më i madh me të cilin përballemi sot është mundësia që terroristët të fusin fshehtas një armë bërthamore, ose agjent biologjik në ndonjë nga qytetet tona duke vënë në rrezik jetët e qindra-mijëra amerikanëve. Ajo që bëmë në Irak ishte gjëja më e drejtë dhe nëse do të më duhej ta rekomandoja përsëri, unë do të sugjeroja të njëjtin kurs veprimi. Bota është më e sigurt, sespe Saddam Husseini është në qeli, qeveria e tij nuk është më në pushtet dhe ne bëmë pikërisht atë që duhej bërë”.

Kandidati demokrat John Edwards tha se administrata e Presidentit Bush nuk kërkoi ndihmë ndërkombëtare para se të fillonte luftën. Ai akuzoi gjithashtu administratën se kishte paraqitur një lidhje të pavërtetë mes Saddam Husseinit dhe sulmeve të 11 shtatorit ndaj Amerikës.

“Pikëpamja jonë lidhur me këtë nuk është e ndërlikuar. Ne u sulmuam nga al-Kaida dhe Osama bin Ladeni. Ne hymë në Afganistan dhe shumë shpejt, administrata mori vendimin që të zhvendoste vëmendjen që atje dhe të fillonte të planifikonte ndërhyrjen në Irak. Dhe për këto lidhje që bëhen, unë dua që populli amerikan të dëgjojë me shumë vëmendje atë që thotë nënpresidenti, sepse nuk ka lidhje mes Saddam Husseinit dhe sulmeve të 11 shtatorit. Komisioni i 11 shtatorit e ka konfirmuar këtë, Sekretari i Shtetit Colin Powell e ka konfirmuar këtë, por nënpresidenti vazhdon të lërë të kuptohet të kundërtën. Në fakt nuk ka lidhje”.

Ndërsa pjesa e parë e debatit u përqendrua tek siguria kombëtare dhe politika e jashtme, në gjysmën e dytë kandidatët folën për çështje të politikës së brendshme. Zoti Cheney mbrojti politikën e administratës për shkurtimin e taksave dhe atë të punësimit, si edhe për përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa zoti Edwards e akuzoi administratën për punën e pamjaftueshme në këto fusha dhe premtoi se një administratë me John Kerryn në krye do të bënte më shumë për klasën e mesme.

Të dyja fushatat e panë këtë debat në kontekstin që asnjë nga kandidatët nuk mund t’i lejonte vetes gabime. Para debatit të dy kandidatët për president, George Bush dhe John Kerry gëzonin të njëjtën mbështetje. Sondazhet e ditëve të ardhshme do të përcaktojnë nëse gjendja do të jetë e njëjtë deri në debatin e ardhshëm presidencial, që zhvillohet të premten mbrëma.

//ze//

XS
SM
MD
LG