Lidhje

SHBA i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit rreth Izraelit - 2004-10-06


Shtetet e Bashkuara i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do t’i kërkonte Izraelit që të ndalonte ofensivën e tij në Rripin e Gazës. 11 vende votuan në favor të rezolutës së hartuar nga diplomatët arabë, ndërkohë që Britania, Gjermania dhe Rumania abstenuan.

Ambasadori amerikan në OKB, John Danforth, tha se në rezolutë nuk përmendeshin sulmet palestineze kundër izraelitëve, përfshirë sulmet me raketë të javës së kaluar nga të cilët u vranë 2 fëmijë izraelitë dhe pasuan operacionet në Gaza.

Por ambasadori i Algjerisë tha se vetoja tregon se Këshilli i Sigurimit nuk është në gjendje të veprojë kur bëhet fjalë për Izraelin. Votimi në Këshillin e Sigurimit u mbajt dje vonë, pas një ditë sulmesh izraelite me raketa në Gaza, nga të cilët u vranë 4 ekstremistë palestinezë, përfshirë zyrtarin e lartë të organizatës palestineze ekstremiste, Xhihadi Islamik, Bashir al-Dabash.

Disa orë më vonë, dëshmitarët tha se nga zjarri i tankeve izraelite u vranë 3 palestinezë, përfshirë edhe një të ri në Gazën veriore.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka arrestuar 13 punonjës të Kombeve të Bashkuara nën dyshimet për veprimtari terroriste. Zyrtarë ushtarakë izraelitë thanë dje se kundër 13 punonjësve do të ngrihen akuza, por ata nuk dhanë hollësi.

Arrestimet u bënë pasi Izraeli u ankua pranë Kombeve të Bashkuara duke thënë se ekstremistët palestinezë po përdornin ambulancat e OKB-së për të transportuar armë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan urdhëroi të hënën fillimin e një hetimi mbi këto akuza.

Drejtori i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihma për Palestinën, Peter Hansen, hodhi poshtë akuzat e Izraelit, duke i cilësuar si nxitëse dhe si propagandë.

//ze//

XS
SM
MD
LG