Lidhje

Moisiu: policia nuk po bën sa duhet për të ulur kriminalitetin - 2004-10-06


Në Shqipëri presidenca dhe Ministria e Rendit përplasen lidhur me vlerësimet për gjendjen e kriminalitetit në vend. Shkak janë bërë deklarimet e kreut të shtetit Alfred Moisiu sipas të cilit kriminaliteti është shtuar dhe se policia nuk po bën një punë të pamjaftueshme për parandalimin e tij. Këto komente presidenti Moisiu i bëri gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në vend. Por Ministria e Rendit ka hedhur poshtë vlerësimet e kreut të shtetit duke i cilësuar ato si rrjedhojë e mungesës së informacionit të këshilltarëve të presidentit.

Presidenti Alfred Moisiu ka nisur sot me kritika të ashpra për policinë dhe institucionet e drejtësisë takimin e tij me drejtuesit e ministrisë së Rendit, Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimeve sekrete. Krimi po rritet, puna e policisë është e pamjaftueshme, ndërsa prokuroria dhe gjykatat jo gjithmonë e ndëshkojnë atë sic duhet. Ky ka qenë në thelb shqetësimi i kreut të shtetit. "Një numër veprash penale në fushën e korrupsionit deri tani nuk I janë nënshtruar një ndjekjeje të mirëfilltë për të sqaruar deri në fund lidhjet që ka apo nuk ka politika me krimin", është shprehur presidenti i cili ka saktësuar se "gjëra të tilla duhet të cohen deri në fund për të mos lënë vend për ekuivoke".

Po ashtu kreu i shtetit ka konsideruar shqetësues faktin që "ka një mospërputhje mes kërkesës së prokurorëve dhe vendimeve që jep gjykata", situatë të cilën ai nuk e ka quajtur normale. "Gjykatat nga ana e tyre - ka thënë presidenti - duhet të bëjnë një kontroll më të mirë brenda vetes për të eleminuar qëndrime joprofesionale, të njëanshme dhe në disa raste korruptive". Por ajo që ka shkaktuar debat dhe përplasje ka qenë deklarimi i presidentit lidhur me veprimtarinë e policisë në luftë kundër kriminalitetit. Sipas tij "vihet re një punë e pamjaftueshme, vecanërisht kohët e fundit, nga ana e policisë në parandalimin e krimit. Ndryshimet në polici - ka thënë presidenti duhet të cojnë në përmirësimin e punës dhe goditjes së krimit". Presidenti e ka quajtur me vend vërejtjen e institucioneve ndërkombëtare se në Shqipëri "ka rajone ku rendi nuk është vendosur plotësisht", ka nënvizuar kreu i shtetit duke bërë kështu një referim të qartë për incidentin e muajit gusht në Lazarat ku u qëllua një helikopter i policisë italiane. Reagimi ka qenë i mënjehershëm nga ministria e rendit, sipas së cilës deklarimet e presidentit kanë shkaktuar konfuzion.

Në një njoftim të sajin ministria saktëson se në "6 muajt e parë të këtij viti janë kapur më shumë persona në kërkim se gjatë gjithë vitit të shkuar, se në 9 muaj është sekuestruar një sasi më madhe droge se në 14 vitet e fundit dhe se zbulueshmëria e krimeve është shumë herë më shpejtë dhe më e lartë se vitet e shkuara". Ministria e Rendit ka njoftuar se sot është hapur në fshatin Lazarat edhe një postë e vecantë policie ku në ceremoni ka qenë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë dhe kryetari i kësaj komune. Në të vërtetë deklarimet e presidentit Moisiu kanë pasuar vlerësimet e fundit të presidencës hollandeze të Bashkimit europian e cila ka shprehur shqetësim për nivelin e krimit të organizuar në Shqipëri.Vlerësime të cilat nuk janë pranuar as nga kryeministri Fatos Nano, ndërkohë që pak ditë më parë duke folur për trafikun e drogës, Ministri i Rendit Igli Toska kishte deklaruar se imazhi i Shqipërisë po vuan edhe nga difektet e vendeve të tjera nga ku kalon droga përpara se të hyjë në territorin shqiptar.

XS
SM
MD
LG