Lidhje

Raport i kryeinspektorit amerikan të armëve Çarls Dulfer - 2004-10-07


Shtëpia e Bardhë thotë se vendimi i presidentit Bush për të ndërhyrë në Irak për rrëzimin e Sadam Huseinit nga pushteti ishte i drejtë, pavarësisht nga një raport i ri i CIA-s i cili arrin në përfundimin se udhëheqësi i atëhershëm irakian nuk kishte prodhuar dhe nuk kishte në zotërim armë të shkatërrimit në masë për më shumë se një dekadë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan thotë se Sadam Huseini përbënte kërcënim, pasi kishte synimin dhe aftësinë për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë dhe po përpiqej të minonte sanksionet e Kombeve të Bashkuara për të përmbushur objektivin e tij.

Zoti McClellan thotë se vendimi për të ndërhyrë në Irak dhe për të rrëzuar Sadam Huseinin ishte i drejtë, pasi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, regjimi irakian paraqiste një kërcënim që amerikanët nuk mund ta linin në harresë.

Argumentat që u ngritën për të arsyetuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak vitin e kaluar, janë shndërruar në një çështje politike në fushatën për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Kandidati demokrat për president John Kerry, tha se presidenti Bush e çorientoi vendin duke u futur në luftë bazuar në të dhëna të gabuara nga shërbimet e zbulimit, dhe nuk arriti të krijonte një koalicion të gjerë ndërkombëtar për të ndarë në mënyrë të drejtë koston financiare dhe njerëzore për ndërhyrjen në Irak.

Në mars të vitit 2003, presidenti Bush i përgatiti amerikanët për ndërhyrjen në Irak me një fjalim drejtuar kombit në të cilin tha se ngjarjet në Irak kërkonin marrjen e një vendimi.

"Informacioni i grumbulluar nga kjo qeveri dhe të tjera nuk lë mëdyshje se regjimi irakian vazhdon të zotërojë dhe të fshehë disa nga armët më vdekjeprurëse që janë krijuar ndonjëherë".

Presidenti Bush tha se duhej të eleminohej rreziku që Sadam Huseni mund të ndihmonte terroristët për të shtënë në duar armë të tilla.

"Rreziku është i qartë. Duke përdorur armë kimike, biologjike, ose në të ardhmen edhe armë bërthamore të siguruara nga Iraku, terroristët mund të përmbushin ambicjet që kanë deklaruar për të vrarë mijëra ose qindra mijëra njerëz të pafajshëm në vendin tonë dhe gjetkë".

Raporti prej 1 mijë faqesh i nxjerrë këtë javë nga Grupi i CIA-s për Vëzhgimin e Irakut njofton se nuk ka shenja që Sadam Huseini kishte në plan t’u jepte terroristëve të al Kaidës lëndë armësh.

Raporti arrin në përfundimin se programi irakian për armët e ndaluara u shkatërrua plotësisht pas Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991 dhe nuk u rindërtua përsëri. Megjithëse raporti pohon se Sadam Huseini kishte në plan të riaktivizonte disa programe armësh nëse Kombet e Bashkuara i pakësonin sanksionet, Iraku nuk kishte sisteme për ta realizuar një gjë të tillë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se stoqet e armëve të shkatërrimit në masë, që të gjithë mendonin se ekzistonin në Irak, nuk janë zbuluar, prandaj presidenti Bush krijoi një komision të pavarur për të hetuar procesin amerikan të mbledhjes së informacionit të zbulimit para luftës.

Zoti McClellan tha se presidenti ka diskutuar deri tani shumë çështje që përfshihen në raportin e CIA-s dhe nuk ka në plan t’i ngrejë këto çështje gjatë fushatës presidenciale.

/ze//

XS
SM
MD
LG