Lidhje

Irak: 16 të vrarë dhe 24 të plagosur - 2004-10-07


Shpërthimi vetëvrasës i një makine bombë shkaktoi dje vdekjen e 16 vetëve dhe plagosjen e të paktën 24 të tjerëve në qendrën e Gardës Kombëtare në pjesën perëndimore të Irakut. Mesa duket, sulmi në qytetin Anah në afërsi të kufirit me Sirinë, kishte në shënjestër rekrutët për shërbim në Gardën Kombëtare.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, por kryengritësit irakianë kanë kryer një numër sulmesh vetëvrasëse kundër personave që regjistrohen për të shërbyer në forcat ushtarake dhe policore të Irakut. Në Bagdad, kryeministri i përkohshëm, Ijad Allaui, po zhvillon bisedime për armëpushim me përfaqësuesit e klerikut radikal shiit, Moktada al-Sadër.

Zoti Allaui thotë se milicia e klerikut duhet të çarmatoset dhe të lejojë policinë të bëjë punën e saj në shkëmbim të një amnestie. Ndërkohë, presidenti libian, Muamar Gadafi, ka bërë thirrje për lirimin e inxhinierit britanik, Keneth Bigli, i cili mbahet peng në Irak që kur u rrëmbye tri javë më parë. //bsa//

XS
SM
MD
LG