Lidhje

Decentralizimi i Kosovës: parakushtet dhe pasojat - 2004-10-07


Në Kosovë ende nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për arritjen e një procesi të suksesshëm të decentralizimit. Në këtë përfundim arriti pedagogu i shkencave historike në Universitetin Trinity, në Shtetet e Bashkuara, Isa Blumi. Zoti Blumi tha se ky proces në kushtet aktuale nuk do të sillte tjetër, veçse kaos dhe një fuqizim të elementëve radikalë, duke penguar përparimin drejt një shoqërie shumë-etnike në Kosovë. Historiani Blumi i bëri këto komente në një konferencë që u zhvillua kohët e fundit në Qendrën e Studimeve Woodrow Wilson, në Washington. Zoti Blumi e cilësoi decentralizimin si një proces të papërgjegjshëm dhe si një zgjidhje e panevojshme për një shoqëri që, sipas tij, sidomos pas viteve 1990 nuk ka njohur një sistem shumë të centralizuar.

Historiani tha se propozimi i Beogradit për decentralizimin e Kosovës është e qartë se ushqen më tej problemet në Kosovë dhe synon të bëjë edhe në të ardhmen të njëjtën gjë. Metoda dogmatike që propozon Beogradi për decentralizimin, tha analisti, thekson edhe një herë ideologjinë e vjetër të shovinizmit dhe manipulimit cinik.

"Së pari kërkohet autonomi për serbët e Kosovës, pra një autonomi brenda një autonomie më të gjerë. Kjo nënkupton se Beogradi kurrë nuk do ta njohë Kosovën jashtë pretendimeve të tij,” tha zoti Blumi.

Ky propozim, sipas analistit, është platformë për kaos në të ardhmen dhe nuk ofron zgjidhje në drejtim të përmirësimit të të drejtave të njeriut, nivelit të sigurisë, si dhe mundësimin e një autonomie reale të këtyre komunave.

Një ndër problemet strukturale të kësaj formule, shpjegoi analisti, është se pushteti lokal pas decentralizimit nuk do të kishte një partner të vlefshëm bashkëpunimi, pasi qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë shumë përgjegjësi mbi vete, të cilat vazhdojnë të jenë nën kontrollin e UNMIK-ut.

Pengesa kryesore ndaj decentralizimit, tha zoti Blumi, është se as UNMIK-u dhe as Beogradi nuk duan të humbin sferat e influencës në Kosovë, duke forcuar pozitat e pushtetit lokal. Ai shtoi se pakicat serbe nuk do të gëzonin një autonomi funksionale, por do të ishin të kontrolluara më direkt nga Beogradi, pasi sipas tij, nuk ka ndonjë dallim real ndërmjet Serbisë dhe serbëve të Kosovës, gjë që është provuar nga politikat që kanë mbështetur gjatë viteve të fundit.

"Decentralizimit do të shoqërohej me një numër problemesh sociale si largimi i popullsisë së kantoneve që nuk kanë fonde dhe mundësi të shumta dhe një përqëndrim i popullsisë në Prishtinë; Beogradi do të merrte në duar një kontroll më të madh, ndërsa do të fuqizoheshin partitë politike të shqiptarëve, që është një rezultat krejt i kundërt me atë që synohet të arrihet përmes decentralizimit,” tha analisti Blumi

Nëse decentralizimi mbetet një alernativë e pashmangshme në këto momente, përfundoi zoti Blumi, duhet më parë të forcohen institucionet e Kosovës, si dhe të ekzistojë një sistem që u siguron komuniteteve, qoftë pakicave, ashtu edhe vetë shumicës shqiptare në Kosovë, mundësinë për t’u angazhuar në këtë proces. Deri në përmbushjen e këtyre kushteve, tha zoti Blumi, decentralizimi nuk është as i realizueshëm dhe as i logjikshëm.

XS
SM
MD
LG