Lidhje

Meret në shqyrtim një rezolutë për pavarësinë e Kosovës - 2004-10-07


Sot Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan mori në shqyrtim një rezolutë për pavarësinë e Kosovës. Rezoluta me numër 28 është paraqitur për herë të parë në Kongres në janar të vitit 2003 nga ligjvenësit Hanry Hyde dhe Tom Lantosh. Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë kishte në plan të votonte sot për miratimin e rezolutës, por votimi u shty për një herë tjetër. Në seancën e sotme pati diskutime që mbështesnin rezolutën dhe diskutime që kërkonin shtyrjen e marrjes së një vendimi.

Kryetari i Komisionit Hyde në deklaratën e tij, pasi bëri një përshkrim historik të zhvillimeve në Kosovë që nga ndërhyrja e Natos në vititn 1999, tha se marrja në shqyrtim e rezolutës nuk anashkalon dhunën e marsit. Ajo jep mesazhin, tha ai, se status quoja e pesë viteve të kaluara është e papranueshme. Të gjitha palët, tha zoti Hyde, duhet të angazhohen në këtë proces tepër të vështirë për të garantuar që të gjithë kosovarët të mund të krijojnë një të ardhme ku të jetojnë në siguri, begati e liri.

Ligjvënësi Tom Lantosh, pasi përmendi vuajtjet e kosovarëve, tha se, si çdo komb tjetër ata e meritojnë të jenë të lirë të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Kosovarët nuk meritojnë më pak pavarësinë se sa sllovenët, krotatët dhe etnitë e tjera. Edhe kosovarët, tha ai, ndodh që janë myslimanë. Në klimën e tanishme ky fakt duhet të jetë një arësye më tepër për të mbeshtetur të drejtën e tyre.”

Ligjvënësi Dana Rorbarcher duke argumentuar në favor të pavarësisë së Kosovës, tha se kjo duhet bërë bazuar në dy parime: atë praktik dhe atë filozofik.

“Unë e përkrah këtë rezolutë për arësye praktike e filozofike. Në aspektin praktik mund të them se ne kemi trupa në rajon dhe mbajtja e tyre atje varet nga vendimet tona. Dhe nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara mbajtja e trupave amerikane në vende që mund të qeverisen vetë. Është koha që perëndimi të marrë vendimin që populli i Kosovës ka të drejtën të vendosë për fatin e tij. Në aspektin filozofik, është se ne amerikanët besojmë se të gjithë popujt kanë të drejtën të përcaktojnë fatin e tyre përmes kutisë së votës”.

Kundërshtarë të rezolutës thanë se koha nuk është e përshtatshme dhe se përmes saj mund të dërgohet mesazh i gabuar. Në argumentat e tyre ata përmendën dhunën e marsit, gjendjen e pasigurtë të pakicave dhe prishjen e objekteve fetare.

Votimi i shty për një datë të mëvonshme, pasi disa ligjvënës thanë se kishin nevojë të njihen më në thellësi me materialet.

Ndër të pranishmit që po ndiqnin seancën ishin edhe përfaqësues të dy grupeve lobiste: Këshilli Shqiptaro-Amerikan dhe Liga Civile Shqiptaro-Amerikane.

//ze//

XS
SM
MD
LG