Lidhje

Senatori amerikan Dole viziton Kosovën - 2004-10-08


Senatori amerikan Robert Dole mbërriti sot në Kosovë për një vizitë tre-ditëshe. Zoti Dole pritet të takohet sot në mbrëmje me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Ndërkohë një forum për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ka kërkuar që fëmijët të mos përdoren gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit në Kosovë.

Senatori amerikan Robert Doll, ambassador nderi I Kosovës në Shtetet e Bashkuara, mbrriti sot në Prishtinë, për një vizitë tre-ditëshe gjatë së cilës do të nderohet me Medaljen e Artë të Lirisë nga presidenti I Kosovës, Ibrahim Rugova. Zoti Rugova e ka dekoruar senatorin Dole me këtë medalje më 12 qershor të këtij viti me rastin e pesë-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Zoti Dole takohet sonte me presidentin Rugova, ndërkohë që vazhdon takimet dhe vizitat e tij më pas gjatë dy ditëve të ardhshme.

Ndërkohë, në Kosovë vazhdon fushata për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit. Forumi Kosovar për të Drejtat e Fëmijëve u ka kërkuar institucioneve vendore dhe partive e grupimeve politike që të mos shfrytëzojnë fëmijët për fushatën e tyre parazgjedhore. Forumi ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Arsimit të mos lejojë që fëmijët të përdoren gjatë fushatës nëpër takime dhe të mos shfrytëzohen mjediset shkollore gjatë fushatës.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, Organizata Ndërkombëtare e Standardeve, ka dhënë përgjigje positive lidhur me kërkesën e kryeadministratorit ndërkombëtar të Kosovës, Sorren-Jessen Petersen për përdorimin e një kodi “SWIFT”të posaçëm për Kosovën, i cili do të dallojë nga ai i Serbisë dhe Malit të Zi. Zoti Petersen kishte kërkuar më 19 gusht të këtij viti miratimin e kodit për Kosovën, i cili përdoret edhe nga “VISA Card”.

Po kështu, në një zhvillim tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit të Prishtinës, Xhoan Uollet, ka themeluar një bord të brendshëm për hetime, i cili do të hetojë në lidhje me mundësinë që ndonjë anëtar i trupit drejtues të këtij aeroporti të ketë ofruar dokumente të fallsifikuara të punësimit për aplikimet për vizë. Zoti Wallet ka thënë se ka biseduar në lidhje me këtë me Guardia di Finanza. Ai ka pohuar gjithashtu se kjo çështje është në vazhdim e sipër dhe se po hetohet nga organet kompetente.

Zoti Wallet e ka quajtur hetimin, hetim administrativ, ndërkohë që ka konfirmuar se bordi i brendshëm për hetime do të përbëhet nga menaxhuesit e ekipit menaxhues të Islandës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit.

Rezultatet e hetimeve pritet t'i paraqiten Këshillit Drejtues të Aeroportit më 8 nëntor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG