Lidhje

Kandidatët presidencialë zhvilluan debatin e dytë - 2004-10-09


Presidenti Bush dhe rivali i tij demokrat, Xhon Kerri, u përplasën mbrëmë rreth Irakut, taksave dhe çështjeve të tjera gjatë debatit të tyre të dytë në qytetin St. Louis të shtetit Misuri.

Presidenti Bush mbrojti ndërhyrjen ushtarake në Irak, duke thënë se e ka bërë botën më të sigurt, por ai pranoi se lufta në Irak do të jetë e gjatë dhe do të kërkojë atë që ai e cilësoi si vendosmëri të paluhatshme.

Senatori Kerri u përgjigj duke thënë se politika e presidentit e ka lënë Irakun në kaos dhe se e ka bërë botën më të rrezikshme. Zoti Kerri tha se presidenti bëri një gabim katastrofik kur vendosi të ndërhynte ushtarakisht në Irak pa ndërtimin e një koalicioni global.

Përsa i përket Koresë së Veriut, Presidenti Bush tha se zhvillimi i bisedimeve dy palëshe me Phenianin për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor, rrugë që mbështetet nga zoti Kerri, do të ishte veprim naiv dhe i rrezikshëm. Presidenti mbështet zhvillimin e bisedimeve të tanishme gjashtë-palëshe.

Senatori Kerri tha se kërcënimi bërthamor nga Irani është rritur ndërkohë që zoti Bush është përqendruar tek Iraku. Presidenti tha se administrata e tij po bën ç’është e nevojshme lidhur me Iranin.

Në frontin e brendshëm, Senatori Kerri akuzoi Presidentin Bush se ka krijuar një deficit masiv me shkurtimet e taksave për të pasurit në një kohë lufte. Presidenti Bush tha se rivalit të tij do t’i duhej të rriste taksat për amerikanët e klasë së mesme në mënyrë që të paguajë për programe të reja shpenzimesh.

Debati i tretë dhe i fundit presidencial do të mbahet të mërkurën. //ib

XS
SM
MD
LG