Lidhje

SHBA: debati i dytë presidencial - 2004-10-09


Tetë ditë pas debatit të parë presidencial, kandidatët u takuan përsëri për një debat të dytë. Si presidenti Bush, ashtu edhe senatori Keri iu përgjigjën pyetjeve mbi Irakun dhe ekonominë nga votues të pavendosur. Debati i së premtes pason një javë replikash të ashpra ndërmjet kandidatit demokrat Xhon Keri dhe presidentit Bush. Shumë nga shikuesit para debatit mendonin se presidenti Bush e humbi debatin e parë dhe kësaj radhe ishte nën një trysni më të madhe. Një nga të pranishmit në sallën ku u zhvillua debati e pyeti presidentin lidhur me arsyet për angazhimin në luftën e Irakut:

“Sadam Husein përbënte kërcënim pasi mund t’u jepte terroristëve armë të shkatërrimit në masë. Sanksionet nuk po jepnin rezultat. Kombet e Bashkuara nuk arritën sukses në rrëzimin e Sadam Huseinit,” tha presidenti.

Më pas senatori Keri e mori fjalën lidhur me këtë pyetje:

“Synimi i sanksioneve nuk ishte për të rrëzuar Sadam Husenin, por për të eliminuar armët e shkatërrimit në masë. Një ditë më parë, zoti president, raporti Deulfer jua bëri të ditur ju dhe botës se sanksionet po jepnin rezultat. Sadam Huseini nuk kishte armë të shkatërrimit në masë. Nëse do të kishim përdorur masa të zgjuara diplomatike, mund të kishim kursyer 200 miliard dollarë si dhe ndërhyrjen në Irak, dhe ndërkaq do ta kishim kapur ose vrarë Osama bin Ladenin. Pikërisht kjo është lufta kundër terrorizmit,” tha zoti Keri.

Çështja e përhapjes së armëve bërthamore ishte gjithashtu një ndër temat e debatit të djeshëm. Senatori Keri tha se Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin botën për të ndalur përhapjen e këtyre armëve:

“Koreja e Veriut ka arritur që nga një bombë që ndoshta kishte më parë, të zotërojë tani 4 deri në 7 bomba bërthamore. Për dy vjet presidenti nuk u angazhua në problemin e Koresë së Veriut, nuk bëri asgjë ndërkohë që ky problem po keqësohej, megjithë paralajmërimet nga ish sekretari i mbrojtjes William Perry, i cili zhvilloi negociata për dërgimin e kamerave televizive dhe të inspektorëve në reaktorin bërthamor. Ne ishim më të sigurtë para administratës së zotit Bush. Tani Koreja e Veriut ka siguruar bomba dhe ne nuk jemi më të sigurtë,” tha senatori.

Presidenti u hodh menjëherë në sulm ndaj këtij arsyetimi:

“Është veprim naiv dhe i rrezikshëm të zgjedhësh politikën që zoti Kerry propozoi disa ditë më parë, për dialog dy-palësh me Korenë e Veriut. Mos harroni, senatori më ka akuzuar mua se nuk kam vepruar në bashkëpunim me aleatët, ndërsa tani kërkon që të ndalë bisedimet 6 palëshe me pjesëmarrjen e Kinës, Koresë së Veriut, Koresë së Jugut, Rusisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, ashtu siç veproi presidenti Klinton, i cili u angazhua në bisedime dy-palëshe. Por Koreja e Veriut nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe vazhdoi programin për pasurimin e uraniumit,” theksoi presidenti Xhorxh Bush.

Përveç pyetjeve mbi politikën e jashtme, kandidatët debatuan edhe për çështje të politikës së brendshme, duke ju pëgjigjur pyetjes për gjëndjen së ekonomisë amerikane.

“Ne kemi defiçit, për arsye se vendi kaloi rënie ekonomike. Mund tu kujtohet rënia e madhe dhe menjëhershme e tregut të aksioneve, gjashtë muaj para se të merrja detyrën. Më pas, tregu që ishte fryrë artificialisht në vitet 1990 pësoi rënie dhe kjo na kushtoi rënien të ardhurave. Së dyti, ne jemi në luftë dhe unë do të harxhoj sado që të jetë e nevojshme për ta fituar atë: më tepër se vetëm 120 miliardë për Irakun dhe Afganistanin. Ne duhet ti paguajmë trupat tona më shumë dhe e kemi bërë këtë gjë. Kemi shtuar fondet për armatime dhe ato për sigurimin kombëtar,” shpjegoi presidenti Bush. Por senatori Keri kishte një pikëpamje tjetër për gjendjen ekonomike:

“Përsa i përket defiçitit, presidenti e gjeti vendin me një bilanc pozitiv prej 5 presje 6 trilion dollarësh. Kurse tani kemi një defiçit prej 2 presje 6 trilion dollarësh. Kjo është humbja më e madhe në historinë e këtij vendi. Ky është i pari president në 72 vjet, nën admistratën e të cilit kemi humbur vende pune. Ai flet për luftën dhe kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë shkurtuar taksat në kohë lufte,” tha zoti Keri.

Më shumë se 62 milionë veta e ndoqën debatin e parë presidencial javën e kaluar. Si rezultat i një ndeshjeje bejsbolli, që u transmetua dje drejtpërdrejt në një kohë me debatin, numri i shikuesve ishte më i ulët se gjatë debatit të parë. Të mërkurën e ardhshme, më 13 tetor dy kandidatët do të takohen për një debat të tretë dhe të fundit që do të ketë në qendër problemet ekonomike.

XS
SM
MD
LG