Lidhje

Serwer: shumë gjëra në Kosovë do të varen nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA - 2004-10-09


Daniel Serwer, Drejtor i Nismës së Ballkanit në Institutin Amerikan të Paqes në Washington sugjeron që pas zgjedhjeve, Kosova të mos qeveriset më nga koalicioni i tre partive më të mëdha shqiptare, por të ketë një opozitë të efektshme. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Serwer thotë se as amerikanët dhe evropianët nuk janë gati ende për statusin përfundimtar të Kosovës, por duhet të dalin me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët brenda vitit të ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, në Kosovë më 23 tetor mbahen zgjedhjet. Çfarë mendoni se vendoset me to, pse janë ato aq të rëndësishme?

Daniel Serwer: Mendoj që përpjekjet bëhen për pushtet politik, siç bëhet në përgjithësi në zgjedhje. Po ashtu me këto votime do të shihet se sa të aftë janë kosovarët të organizojnë zgjedhjet e tyre. Madje ndoshta kjo është e para: që institucionet e përkohëshme vetëqeverisëse, po i organizojnë për herë të parë vetë zgjedhjet, që nga koha e luftës. Përfaqësuesit ndërkombëtarë do të kenë rol vëzhgues. Mendoj se kjo është pozitive dhe shpresoj që të shkojë mirë. Unë uroj që të fitojë më i miri dhe mendoj se do të ishte interesante të shihej jo vetëm sesi do të paraqiten tri partitë kryesore, por edhe formacioni i ri politik i Veton Surroit dhe partie e re e Edita Tahirit.

Zëri i Amerikës: Nënsekretari i Shtetit Marc Grossman, sapo u kthye nga një vizitë në rajon, gjatë së cilës vizitoi edhe Kosovën, ku foli edhe për rëndësinë e zgjedhjeve. Ai gjithashtu tha se sapo të përfundojnë këto zgjedhje, duhet të rifillojë puna për zbatimin e standardeve. Ai gjithashtu foli edhe për rëndësinë e krijimit të një shoqërie me tolerancë etnike, me të drejta për pakicat, një shoqërie të hapur që do të bënte të mundur integrimin në bashkësinë evropiane. A mendoni se këto janë të mundura? Çfarë mendoni për këto ide të zotit Grossman?

Daniel Serwer: Nuk do të komentoja për vizitën e zotit Grossman, por vërtet ka shumë punë për të bërë pas zgjedhjeve. Në fakt është bërë deri tani shumë punë. Kryeministri Bajram Rexhepi i ka kthyer institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në nga pothuajse të parëndësishme fare në institucione të vërteta. Ka ardhur koha që politikanët e Kosovës që arrijnë të zgjidhen, të kenë gjithashtu edhe përgjegjësinë për të qeverisur dhe mua më duket se tani është momenti i duhur për një gjë të tillë. Edhe diçka tjetër: Pas zgjedhjeve të kaluara, komuniteti ndërkombëtar këmbënguli që tri partitë kryesore shqiptare të qeverisnin së bashku. Kjo ishte e arsyeshme në atë kohë dhe ndihmoi në stabilizimin e gjendjes, por Kosova ka nevojë tani për një qeveri dhe një opozitë, që të fillojë të mësojë sesi të qeverisë në këtë mënyrë, si edhe për ndërrimin e pushtetit. Kjo gjithashtu do të sillte edhe avantazhin që të krijonte më shumë hapësirë, për serbët dhe pakicat e tjera në sistemin politik, sepse kur tri partitë më të mëdha shqiptare qeverisin së bashku, nuk ka shumë hapësirë për manovrim, nëse je një parti relativisht e vogël pakicash në parlament.

Zëri i Amerikës: Presidenti Tadiç bëri thirrje për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, por një gjë të tillë ai e shoqëroi me kushte, të cilat nuk u pranuan as nga UNMIK-u dhe as nga politikanët shqiptarë. Si e shikoni gjendjen pas kësaj thirrjeje të Presidentit Tadiç?

Daniel Serwer: Më bëhet qejfi që ai bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, por kushtet që ai vendosi m’u dukën të paarsyeshme. Mendoj se serbët e tepruan dhe ishte për të ardhur keq kur u përpoqën ta bëjnë komunitetin ndërkombëtar të pranonte propozimin e tyre për decentralizim, në këmbim të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje është e rëndësishme për ata vetë, sepse kuvendi që do të dalë prej tyre do të jetë në fuqi kur të vendoset statusi përfundimtar dhe nëse serbët e Kosovës duan të jenë të përfaqësuar në atë proces, ata duhet të jenë pjesë e kuvendit. Ideja që mund të ndikosh tek amerikanët, duke ofruar pjesëmarrje në zgjedhje nuk ka shumë kuptim, sepse njerëzit këtu nuk e kanë mendjen tek kjo çështje, me përjashtim të disa zyrtarëve në Departamentin e Shtetit. Pjesmarrja është e rëndësishme për vetë serbët e Kosovës, sepse interesat e tyre nuk mund të jenë identike me ato të Beogradit. Nëse nuk votojnë, ata do të përfaqësohen nga Beogradi, që mbështet ndarjen e Kosovës, gjë që nuk mendoj se është në interesin e serbëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ju keni shprehur idenë për më shumë angazhim të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Si duket tani gjendja, si duket ky angazhim dhe sa i rëndësishëm është ai për të ardhmen e Kosovës, për bisedimet për statusin përfundimtar në këtë moment?

Daniel Serwer: Unë gjithmonë kam mbështetur idenë që amerikanët dhe evropianët ta zgjidhin së bashku statusin e Kosovës. Mendoj se asnjëra palë nuk mund ta bëjë e vetme një gjë të tillë, sepse kur ne i bëjmë bashkë gjërat, ato funksionojnë. Washingtoni dhe Brukseli nuk më duket se janë ende gati dhe brenda vitit të ardhshëm duhet të përcaktojnë se të paktën cilat janë zgjidhjet e pranueshme. Për shembull, nuk më duket se tërësia territoriale dhe sovraniteti i Bosnjes, apo Maqedonisë do të rrezikoheshin nga diskutimi i statusit përfundimtar të Kosovës. Roli i amerikanëve dhe Bashkimit Evropian është që të përcaktojnë rregullat e lojës dhe kur negociatat vështirësohen, t’i sjellin të dyja palët në tryezë për të arritur një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët. Ka shumë ide të hedhura për diskutim, si nga evropianët, edhe nga amerikanët. Por kur një diplomat evropian, thotë se diçka është e pashmangshme dhe unë i them kur është kështu, pse nuk e zbatoni, ai përgjigjet: është e pashmangshme, nuk kam pse ta bëj unë, do të ndodhë vetë. Ndërsa kur një diplomat amerikan thotë që është e paevitueshme, me këtë ai do të thotë se do ta realizojë një gjë të tillë. Dhe në këtë pikë evropianët dhe amerikanët ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Shpesh arrihet në përfundimin se Shtetet e Bashkuara dhe evropianët e dinë se çfarë duan. Nuk mendoj se është kështu. Mendoj se ne e dimë se çfarë nuk duam: nuk duam paqëndrueshmëri, nuk duam zhvendosje të mëdha të pakicave etnike, nuk duam shpërbërjen e Bosnjës, apo Maqedonisë, por nuk jam i sigurt se e dimë se çfarë duam dhe duhet të punojmë për një gjë të tillë që ta përcatojmë brenda vitit të ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Por duket se pikërisht tani që ky angazhim është më i rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në pjesë të tjera të botës, aq më tepër që këtu po bëhet fushatë intensive për zgjedhjet e nëntorit të cilat mbahen disa ditë pas zgjedhjeve të Kosovës. Mendoni se e pengon një gjë të tillë angazhimin amerikan për Kosovën? Çfarë pasojash sjell kjo?

Daniel Serwer: Unë mendoj se shumë gjëra që kanë të bëjnë me Kosovën, varen nga rezultati i zgjedhjeve këtu në Shtetet e Bashkuara. Mendoj se në thelb republikanët kanë dashur ta shtyjnë sa më shumë të jetë e mundur çështjen e statusit përfundimtar, duke u druajtur se çfarë ndikimi do të kishte në zhvillimet demokratike të Beogradit dhe nëse rizgjidhen mund të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Nëse zgjidhen demokratët, as ata nuk do ta konsiderojnë Kosovën, si një nga përparësitë kryesore, por ata kanë marrë disa angazhime për vetëvendosjen e Kosovës dhe unë mendoj se ata do të ndjehen të detyruar që t’i përmbushin ato. Megjithatë mendoj se pavarësisht nga prirjet politike, në burokracinë e Washingtonit gjithnjë e më shumë po pranohet që gjendja aktuale nuk mund të vazhdojë, që UNMIK-u është në rrezik dhe nëse ka përsëritje të dhunës si ajo e marsit, gjendja mund të përkeqësohet, mund ta vërë UNMIK-un në shënjestër, në atë masë sa ta bëjë që të mos funksionojë dot. Ma merr mendja që askush nuk do që ta lërë këtë të ndodhë, kështu që mendoj se kushdo që të zgjidhet në nëntor do ta kuptojnë nevojën për një vendim përfundimtar.

XS
SM
MD
LG