Lidhje

SHBA: diskutohet mundësia që shtetasit e lindur jashtë vendit të konkurojnë për president - 2004-10-09


Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e një ndryshimi në Kushtetutë, që do t’u jepte të drejtën shtetasve amerikanë, të lindur jashtë Shteteve të Bashkuara, që të kandidojnë për postin e presidentit.

Senatori Orrin Hatch, kreu i Komisionit të Senatit për Çështje Juridike beson se detyrimit kushtetues që presidentët amerikanë të kenë lindur në këtë vend, i ka ikur koha dhe është diskriminues.

Ai thotë se themeluesit e kombit amerikan e hartuar këtë klauzolë mbi dy shekuj më parë, të nisur nga shqetësimi se ndonjë monark evropian mund të sillej për të sunduar në Shtetet e Bashkuara.

Në një seancë të këtij komisioni, ai diskutoi mbi një propozim të tij për të ndryshuar kushtetutën, në mënyrë që amerikanët e lindur jashtë vendit të lejohen të kandidojnë për postin më të lartë politik në Amerikë.

“Kërkesa për qytetarë të lindur në Shtetet e Bashkuara është diçka që ka mbetur si relike nga një kohë tjetër. Ka ardhur koha që ne, përfaqësues të zgjedhur të këtij vendi, madje të imigrantëve, të fillojmë procesin për rrëzimin e kësaj barriere artificiale, të vjetëruar, të panevojshme dhe të padrejtë,” tha senatori.

Sipas propozimit të zotit Hatch, të gjithë ata që kanë qenë shtetas amerikanë për të paktën 20 vjet dhe banorë të përhershëm për të paktën 14 vjet, mund të kandidojë për president.

Një projekt-ligj i ngjashëm në Dhomën e Përfaqësuesve do të lejonte dikë që ka qenë për 35 vjet shtetas të konkuronte për Shtëpinë e Bardhë.

Aktualisht, një numër amerikanësh me peshë nuk mund të kandidojnë për president, mes së cilëve Guvernatori i Kalifornisë Arnold Schvarceneger dhe ish-Sekretarët e Shtetit Madeleine Albright dhe Henri Kisinger, sepse nuk kanë lindur në këtë vend.

Senatori Hatch vuri në dukje se detyrimi që të kesh lindur në Shtetet e Bashkuara që të kandidosh për President nuk vlen për zyrtarët e tjerë amerikanë, përfshirë përfaqësuesit e Kongresit, Gjykatën e Lartë dhe anëtarët e kabinetit të presidentit.

Megjithatë, disa ligjvënës druhen të prekin kushtetutën. Senatorja Dianne Feinstein është demokrate nga Kalifornia.

“Në rastin e presidencës, nuk mendoj se mund të heqim dorë kaq kollaj nga e drejta e rezervuar në Kushtetutë për shtetasit e lindur këtu,” tha senatorja Feinstein.

Shumë ligjvënës besojnë se Kongresi nuk është i gatshëm të marrë masa së shpejti për një ndryshim kushtetues për klauzolën që duhet të kesh lindur në Shtetet e Bashkuara që të kandidosh për President.

Të gjitha ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin e dy të tretave si në Dhomën e Përfaqësuesve, edhe në Senat dhe më pas të paktën tre të katërtat e organeve ligjore të shteteve duhet ta ratifikojnë atë.

XS
SM
MD
LG