Lidhje

Bush: zgjedhjet në Afganistan - të mrekullueshme - 2004-10-09


Në Afganistan përfundoi sonte zyrtarisht votimi për zgjedhjet presidenciale, një ngjarje historike për këtë vend, por votuesit ende prisnin në radhët e gjatë para qëndrave të votimit.

Zyrtarët thanë se ata që kanë qenë në radhë para mbylljes zyrtare të votimit kanë të drejtën të votojnë. Më parë të gjithë kandidatët rivalë me presidentin Karzai kërkuan që zgjedhjet të ndaloheshin dhe të përsëriteshin për shkak të mashtrimeve.

Zoti Karzai e kritikoi kërkesën e tyre dhe tha se është tepër vonë për të bojkotuar zgjedhjet tani që miliona afganë kanë hedhur votën e tyre, megjithë motin e keq. Ai tha se duhet të mbizotërojë vullneti i popullit. Zyrtarët e zgjedhjeve gjithashtu e kundërshtuan kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve si të pajustifikuar. Ata thanë se megjithëse pati disa vështirësi teknike, afganët që kanë votuar janë të shumtë dhe se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.

Reagime mbi zgjedhjet në Afganistan

Presidenti George Bush tha se zgjedhjet presidenciale në Afganistan ishin të shkëlqyera. Duke folur në një tubim politik në Mizuri, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se liria është një dhuratë e zotit për të gjithë. Ai tha se dita e sotme është e përshtatshme për të falenderuar qytetarët amerikanë që liruan Afganistanin. 15 kandidatë të opozitës kandiduan si rivalë të presidentit Hamid Karzai. Presidenti Bush tha se votimet ishin një hap i rëndësishëm përpara drejt demokracisë në Afganistan: "Liria është e fuqishme. Mendoni për një shoqëri, në të cilën vajzat e reja nuk mund të shkonin në shkollë dhe nënat e tyre rriheshin me kamxhik në mes të sheshit. Sot, atje zhvillohen zgjedhjet presidenciale."-tha Presidenti.

Kjo për faktin se trupat amerikane pushtuan Afganistanin dhe rrëzuan nga pushteti qeverinë talebane, pasi nuk pranoi të dorëzojë elementë të Al-Kaidës, të dyshuar si terroristë dhe si autorë të sulmeve të 11 shtatorit në New York dhe Washington.

Gjatë një mitingu në shtetin e Missourit, zoti Bush përmendi rastin e një ish-refugjateje afgane, e cila tha se nuk e kishte menduar kurrë se do të vinte një ditë kur ajo do të kishte mundësi të votonte. "Ajo pra votoi në këto zgjedhje, për arsye se Shtetet e Bashkuara dhe Amerika mendojnë se liria është një dhuratë e të plotfuqishmit Zot, për të gjithë burrat dhe gratë e botës"- tha Presidenti.

Gjatë fushatës së tij, presidenti Bush përmendi Afganistanin, si një shembull se si ai e ka bërë Amerikën një vend më të sigurtë, duke luftuar terroristët në mbarë botën.// lk //

XS
SM
MD
LG