Lidhje

Veton Surroi: Kosova ka nevoje për ndryshime të thella - 2004-10-11


Nga zgjedhjet e 23 tetorit në Kosovë kanë mbetur më pak se dy javë. Qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje do të përballet me detyrën e vështirë të fillimit të negociatave për statusin përfundimtar, në se komuniteti ndërkombëtar i jep një vlerësim pozitiv standarteve në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm. Por ndonëse statusi është në mendjen e shumë banorëve, Kosova ndeshet edhe me probleme të tjera. Duke filluar nga e hëna Zëri i Amerikës, filloi një sërë intervistash me drejtuesit e partive kryesore politike në Kosovë.

Intervistë me zotin Veton Surroi, themelues i lëvizjes Ora.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, me çfarë platforme po del lëvizja juaj në këto zgjedhje?

Veton Surroi: Ne kemi një platformë të transformimit të Kosovës brenda një periudhe jo më të gjatë se 12 muaj, në të cilën do të përpiqemi të vendosim shtetin e së drejtës, të fillojmë një cikël investimesh prej 300 milion eurosh, që do të hapë vende të reja pune, për menaxhim të plotë të rrjedhave ekonomike në Kosovë. Ne kemi një platformë të transformimit të Kosovës në një shtet demokratik me një sovranitet të brendshëm. Çështja e statusit natyrisht do të mbetet çështje e hapur brenda një përgjigjeje negociatore me bashkësinë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, shpesh në programin Ditari ju keni komentuar dhe bërë vërejtje për mënyrën si janë trajtuar problemet në Kosovë. Çfarë synoni ju të ndryshoni?

Veton Surroi: Unë mendoj se së pari duhet vendosur një bosht kurrizor ligjor në Kosovë; duhet të bëhet unifikimi i të gjitha ligjeve në një sistem ligjor kosovar. Së dyti, duhen marrë përsipër kompetencat që janë të drejta të fituara të Kosovës, pra që nuk janë të negociueshme, siç janë banka qendrore, ministritë e ndryshme, përfshirë edhe atë të tregtisë etj. Dhe së treti, duhet rikonstituar politika, në mënyrë që ajo të vihet në shërbim të qytetarëve dhe jo të jetë pjesë e negociatave mes UNMIK-ut dhe forcave të ndryshme politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, një nga problemet kryesore që lidhet me zgjedhjet është pjesëmarrja e komunitetit serb. Beogradi, të paktën një pjesë e politikanëve, u bënë thirrje banorëve serbë të marrin pjesë në votime, ndonëse me kushte, që pala shqiptare menjëherë i hodhi poshtë. Udhëheqësit shqiptarë janë kritikuar dhe prej tyre kërkohet krijimi i një shoqërie funksionale shumë etnike. A po e humbet Kosova betejën për krijimin e një shoqërie të tillë? Dhe çfarë ofron lëvizja juaj për përmirësimin e gjendjes së banorëve serbë, si një prej standarteve kryesore?

Veton Surroi: Unë mendoj se shoqëria kosovare deri tani ka humbur betejën në sferën politike për sigurimin e kushteve të nevojshme për shumicën, le të mos flasim për pakicën. Dhe ajo që është esenciale, është se pakica nuk mund të jetë mirë, nëse shumica nuk është mirë. Në Kosovë duhet ndryshuar tërësisht dhe me masa të shpejta mënyra se si udhëhiqet vendi. Ne duhet të sigurohemi që ky vend të jetë funksional, dhe brenda një vendi funksional natyrisht që duhet hapur një debat i sinqertë me minoritetet, në mënyrë që të sigurohet inkuadrimi i tyre. Kjo formë nuk do t’i sigurojë Beogradit as të drejtat e serbëve dhe as nuk do të lejojë hapjen e dialogut mes kosovarëve shqiptarë dhe kosovarëve serbë. Kjo thjesht do të të krijojë mundësi që Beogradi të përfshihet në mënyrë të përhershme në procesin e konsolidimit e kostituimit të Kosovës si shtet.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, ju jeni një lëvizje e re, e krijuar vetëm disa muaj më parë, që do të konkuroni ndaj disa partive që kanë një përvojë disa vjeçare. Cilat janë synimet tuaja për këto zgjedhje, a synoni të merrni shumicën, apo të përfaqësoheni në parlament, dhe përse banorët duhet të votojnë për lëvizjen tuaj?

Veton Surroi: Së pari, ajo që duhet të bëjmë është të mos përsërisim gabimet që kanë bërë partitë e deritanishme, të cilat janë marrë kryesisht me debate boshe gjatë këtyre viteve të kaluara. Ne premtojnë se do të futemi drejt për së drejti në çështje që janë themelore për funskionimin e kësaj shoqërie, si për shembull çështjet e punësimit, cikli i investimeve, transformimi rrënjësor i bujqësisë, stimulimi i ekspertëve kosovar etj. Ne po flasim për vende të reja pune të cilat dalin nga ky cikël i transformimit ekonomik të Kosovës. Dhe kjo nuk do të thotë një shtet iluzor, por një vend i cili brenda vitit 2006 duhet të ketë kushtetutën e vet dhe jo siç ka ndodhur deri tani me këto parti të cilat e kanë degraduar pozitën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës me anë të kornizës kushtetuese dhe me një mungesë vizioni të arsyeshëm të zhvillimit ligjor, ekonomik e të tjera të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, lëvizja Ora merr pjesë në zgjedhje si një lëvizje qytetare, madje edhe ju vetë nuk quheni kryetar i saj por bartës i listës zgjedhore. A mundet të jetë një lëvizje qytetare më e aftë se një parti politike për të zgjidhur problemet e Kosovës?

Veton Surroi: Po kjo është forcë politike vetvetiu, pavarësisht se nuk quhet parti. Atë që ne kemi deri tani është përvoja e debatit, dhe qytetarët gjithnjë e më shumë kanë filluar të besojnë dhe të kuptojnë se cili është thelbi i porosisë tonë. Ne kemi zhvilluar debat me bujqit, me bankat, me studentët etj., dhe nga këto debate rrjedh një program efikas i transformimit të Kosovës në shtet. Ne me këto programe dhe këtë përkrahje, që po grumbullojmë dita ditës, besoj se do të jemi në gjendje të formojmë një qeveri efikase pas zgjedhjeve të 23 tetorit.

Zëri i Amerikës: Ju sapo thatë pak më parë se nuk do ta lini fatin e Kosovës në duart e bisedimeve mes Prishtinës me Beogradin, cili është qëndrimi juaj në lidhje me bisedimet Prishtinë - Beograd, kur duhet të zhvillohen ato dhe a duhet të zhvillohen apo jo?

Veton Surroi: Ato duhet të zhvillohen patjetër, pas zgjedhjeve dhe me një qeveri të konsoliduar. Në bisedime duhet të hapen të gjitha çështjet që janë brengosëse dhe për të cilat ne mendojmë se duhet biseduar. Ne, pikë së pari, duhet të bisedojmë për të gjitha dëmet që ka shkaktuar Serbia në Kosovë, që nga koha e aparteidit dhe deri në periudhën e luftës. Duhet të shtrohen çështje jo si kornizë teknike, siç është bërë deri sot, por si çështje reale politike që kërkojnë zgjidhje. Disa prej çështjeve janë të panegociueshme, siç është çështja e të zhdukurve kosovar, e cila nuk është as çështje teknike dhe as çështje bisedimesh, por është thjesht çështje e rregullimit të kohës dhe mënyrës se si të kthehen të gjithë të zhdukurit kosovar në atdhe. Çështja e dëmeve të luftës është një çështje e cila duhet të shtrohet dhe gjithashtu çështja e fondit pensional të Kosovës të cilën e vodhi regjimi i Millosheviçit.

XS
SM
MD
LG