Lidhje

Zgjedhjet 2004: Kandidatët dhe pozicionet e tyre për çështje shkencore - 2004-10-11


Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara është përqëndruar kryesisht tek lufta në Irak, siguria e vendit dhe ekonomia. Por, në një garë kaq të fortë, ku sondazhet tregojnë mbështetje thuajse të barabartë për të dy kandidatët, edhe çështje të tjera mund të ndikojnë votuesit e pavendosur. Një ndër këto mund të jetë qëndrimi i kandidatëve ndaj shkencës, fushë në të cilën siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Rosane Skirble, kandidatët kanë qëndrime shumë të ndryshme.

Amerikanët i japin shkencës rëndësi të madhe. Një sondazh i kohëve të fundit tregon se shumë amerikanë besojnë se zbulimet e reja shkencore mund të gjejnë shërime për sëmundje, të mbrojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm nga ndotjet dhe të kenë ndikim pozitiv në rritjen e ekonomisë.

Një forum i organizuar nga Shoqata Amerikane për Përparimin e Shkencës u dha përfaqsuesve të të dy kandidatëve presidecialë rastin të shprehin qëndrimet e tyre ndaj kësaj çështjeje.

Në emër të presidentit Bush foli anëtari i Kongresit, Bob Walker, i cili ka shërbyer si kryetar i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për shkencën. Senatori Kerry u përfaqësua nga Henry Kelly, këshilltar shkencor në administratën e presidentit Clinton dhe tani president i Federatës së Shkencëtarëve Ameriakanë.

Të dy u pajtuan se zhvillimi laboratorik i qelizave embrionale nga embrionet njerëzore premton risi për një sërë sëmundjesh të ndryshme. Zoti Walker tha se presidenti Bush ishte i pari që kishte financuar studimet në këtë fushë dhe se ai ishte i vendosur të vazhdonte financimin e studimeve në këtë fushë.

“Presidenti është përpjekur ta trajtojë këtë çështje në baza morale dhe etike. Në fakt, nëse do të lejohej që ky kërkim shkencor të bëhej pa një farë kontrolli, do të krijonte shumë probleme në Kongres dhe kjo do të rrezikonte ndoshta financimmin e mëtutjeshëm të tij.”

Por ish këshilltari i presidentit Clinton për çështje shkencore, Henry Kelly, kundërshtoi duke thënë se studimi në fushën e qelizave embrionike ishte penguar pa masë nga administrata e presidentit Bush.

“Është shumë e qartë se presidenti Bush nuk është bazuar në metodat e pranuara për të arritur një konsensus dhe për të marrur vlerësime të tjera. Nuk ka dyshim se faktet në të cilat u bazua vendimi i tij ishin të gabuara”.

Presidenti Bush është kritikuar edhe lidhur me problemin e ngrohjes globale. Edhe pse presidenti Bush ka pranuar se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik serioz, ai vendosi të tërheq Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Kiotos, një marrëveshje ndërkombëtare që synon uljen e çlirimit të gazërave në atmoseferë. Administrata e presidentit Bush thotë se kjo marrëveshje do të dëmtonte ekonominë amerikane. Kundërshtari i presidentit Bush, Senatori John Kerry mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të kthehen në këtë marrëveshje.

Te dy kandidatët presidencialë kanë premtuar se do të përkrahin programe emerikane të hapësirës. Presidenti Bush ka propozuar të dërgojë astronatutë në sipërfaqen e Hënës brenda vitit 2015 dhe ta bëjë hënën platformë për misione të ardhshme në Mars. Zoti Kerry e ka përkrahur këtë ide, por shtron pyetjen sesi nga do të vijë fondet për financimin e një programi të tillë.

Ndërsa siguria e vendit është përparësia kryesore, thonë zyrtarë të fushatës së presidentit Bush, programe të tjera të rëndësishme të financuara nga administrata si kërkimet në fushën e nanoteknologjisë, janë objektiva të rëndësishëm kombëtarë.

Por fushata e zotit Kerry thotë se është e nevojshme të bëhet më shumë. Me të pajtohen 44 shkencëtarë fitues të çmimit Nobel, të cilët në një letër në përkrahje të zotit Kerry, akuzuan administratën e presidentit Bush se nuk kishte financuar sa duhet kërkimet shkencore.

Drejtues të fushatës së Presidentit Bush e hedhin poshtë këtë akuzë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta udhëheqin botën në kërkime shkencore dhe se financime për kërkime do të vazhdojë të rritet gjatë një mandati të dytë të presidentit Bush.

XS
SM
MD
LG